Në vitin 2000 Gent Gazheli bëri “sefte” punën. E nisi me “bismilahi” si Inspektor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Si pjesë e detyrimit ligjor ishte edhe deklarimi i pasurisë. Ai deklaroi një banesë të cilën sipas tij e kishte blerë 10 mijë USD.
Në 2003 Gent Gazheli u largua nga puna “në shtet” dhe për disa vite deri sa Partia Socialiste u rikthye në pushtet nuk ka bërë deklarim pasurie pasi nuk rezultonte në detyra shtetërore.
E kur në cilësinë e Drejtorit Kontrollit të Pastrimit të Parave desh të rideklaronte pasurinë, këtu filluan edhe piruetat prej balerini të Gent Gazhelit. Apartamenti që në vitin 2000 u deklarua për vetëm 10 mijë dollarë, “marshallah” ishte rritur dhe këtë herë u deklarua 80 e kusur mijë euro.
Se si vajti ky apartament nga 10 mijë dollarë në 80 e kusur mijë euro, këtë e di vetëm Gent Gazheli. Mesa duket, posti si drejtor i përgjithshëm i ndalimit të pastrimit të lekëve, e kishte bërë usta jo për të zbatuar ligjin, por mësoi se si të fshehë, shumojë dhe tjetërsojë pasuritë e tij.

Me kalimin e viteve në pushtet jo vetëm pasuritë e fshehta të Gent Gazhelit u shumuan por arroganca dhe prepotenca bënë që të dilte konferencave për shtyp me xhup që kushton 4 mijë e kusur euro.
Një zyrtar i lartë, rrogëtar i këtij vendi arrin të ketë në garderopë rroba që kushtojnë sa 5 muaj rrogë. Po nëse ka kursyer rrogën 5 muaj për të blerë vetëm një xhup, çfarë ka ngënë e ka pirë Gent Gazheli?

Si u shndërrua nga rrogëtar në miliarder?
Nga një rrogëtar i Republikës, tashmë Gent Gazheli është kthyer në një miliarder të Republikës. Ai nuk zotëron bisnese në emër të tij, por ama kunati i Gent Gazhelit, shtetasi Genc Luto pa asnjë të kaluar në bisnes, prej vitit 2016 e deri sot, rezulton pronar i një përandorie kompanish.
Emrin e Genc Lutos e gjejmë në disa bisnese, ku ajo që bie në sy është një lokal (ndër më të mëdhenjtë) brënda aeroportit të Rinasit.
Pra kunati ish drejtorit të Përgjithshëm të Doganave tashmë, shtetasi Genc Lutaj merr brënda aeroportit të vetëm në vend, një super ambient ku ndërton një steak house. A është dhuratë e Çetit ndaj Gentit, duke qënë se ky i fundit në cilësinë e drejtorit të Doganave, e kishte “në dorë” Shefqet Kastratin në shumë drejtime?

Miqësia me Ben Ahmetajn dhe grupin “inceneratori”
Gent Gazheli njihet jo vetëm si një ndër miqtë më të afërt të Arben Ahmetajt por edhe si një ndër “punëmbaruarit” e tij. Mardhënia financiare Tigri-Gazheli që tejkalon atë shoqerore është një “provë” ulëritëse që meriton hetim të thelluar.

Ashtu siç duhet hetuar lidhja e Gent Gazhelit me grupin e inceneratorëve. Çfarë i lidh dhe çfarë ka përfituar në mënyrë direkte dhe indirekte Gent Gazheli nga ky grup i strukturuar kriminal?
Rasti i Gent Gazhelit dhe tarafit të tij familjar është një këmbanë alarmi për drejtësinë. Si arriti të bëhej një rrogëtar shteti në një miliarder? Kjo pyetje meriton një përgjigje, pasi aludimet dhe provat të çojnë në faktin që kjo pasuri vjen si pasojë e korrupsionit disa vjeçar të Gent Gazhelit në disa institucione kyçe ne vend.
