EKSKLUZIVE/ 8 milionë euro pa kontratë, ja si ka 6 muaj Klod Allajbeu që rrjep buxhetin me koncensionin e përfunduar të hemodializës, kontrata ka skaduar në shkurt, shteti vazhdon pagesat

Më 10 shkurt të vitit 2016 në zyrën e Protokollit të Ministrisë së Shëndetësisë, protokollohet me nr 1503/44 kontrata e KONCENSIONIT PËR SHERBIMIN E HEMODIALIZËS të lidhur ndërmjet MINISTRISË SË SHËNDETËSISË SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË dhe SHOQERISË TREGTARE DIAVITA SHPK.

Një ndër kontratat më skandaloze të firmosura nga shteti shqiptar, nëpërmjet së cilës Klodian Allajbeu, ai që me plot kuptimin e fjalës është “oligarku i shëndetësisë” pasi i plotëson të gjitha kushtet të jetë I tillë, duke emëruar dhe shkarkuar ministra, drejtorë dhe duke kapur çdo sektor të shëndetësisë, fut në xhep plot 3 milionë euro në muaj.
Këtu Allajbeu do kërcejë pupthi siç kërcen nga kali dhe do të thotë se nuk janë 3 milionë në muaj por janë 1.4 milionë në muaj. Po, në njërën kompani merr “vetëm” 1.4 milionë në muaj, ndërsa me kompaninë tjetër që zotërohet po nga Allajbeu merr 1.6 milionë në muaj.
Por për kompanitë që u përfshinë në koncensionin e hemodializës, që në “ngjizje” e më pas në transferta, shitje kuotash, shitje kompanish, transferim kapitalesh etj, do të flasim në vijim me dokumentet përkatëse.
Sot do të fokusohemi tek një skandal që nëse ka drejtësi, kjo masakër me paratë e shqiptarëve të varfër duhet ndalur një orë e më parë.

AFATI KA PËRFUNDUAR, PËRSE PAGUAJMË?
Sipas kontratës së protokolluar në vitin 2016 ky koncension do të jetë i vlefshëm për 10 vite.
Pra sipas kontratës, duke qënë se skadenca ishte shkurti 2026 do duhej që kompania të fillonte të kryente dorëzimet për llogari të Shtetit Shqiptar, të investimeve të kryera për këtë koncension nga firma private me lekët e njerëzve.
Një absurd i plotë, por të paktën i erdhi dita e skadencës. Por ajo që po ndodh është kriminale.
Jemi në korrik të vitit 2026 dhe Klodian Allajbeu vijon e mban “peng” shërbimin e hemodializës duke i vënë “gjobë” qytetarëve 1.4 milionë euro në muaj.
Nuk po llogarisim çfarë ka VJEDHUR gjatë periudhës kur koncensioni ishte aktiv, por nga shkurti deri më sot, Allajbeu ka VJEDHUR 8.4 milionë euro. Tetë milionë e katërqind mijë euro që Allajbeu dhe kompanitë e tij satellite fusin në xhep çdo muaj pa kontratë. Afër 9 milionë euro që Ministria e Shëndetësisë i paguan rregullisht oligarkut Klodian Allajbeu.

SA KUSHTON NË TË VËRTETË HEMODIALIZA?
Sipas dokumenteve dhe preventivëve të vetë Ministrisë së Shëndetësisë ky shërbim në të vërtetë po ta ofronte shteti kushton rreth 300 mijë deri në 400 mijë euro në muaj. Por është paguar shumëfishi I vlerës pasi “PRIVATI” do bënte investime të cilat do t’i mbeteshin shtetit.
Por në realitet investimet “moderne” nuk i pamë dhe ajo që shohim është se Allajbeu po vijon të fusë ne xhep, tashmë pa kontratë 1.4 milionë euro çdo muaj.
Ndërkohë që në vendin më të varfër në Europë ka mbi 50 ditë që protestohet për bukën e gojës, për pensione, për shëndetësi, për krim, për korrupsion e madje protestohet edhe për mungesë seksi, Klod Allajbeu mbush thasët me euro të cilat më pas i zhduk siç ai di të bëjë më mirë.
A është shqetësim edhe për SPAK fakti që miliona euro ikin çdo ditë, tashmë pa kontratë dhe pa ligj?
Të presim dhe të shohim.

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply