“Stafukët” kishin pikën ilegale të basteve dhe llotove në Fushë Krujë, përse Agjencia e Mbikqyrjes Policore anashkaloi komisariatin përkatës?

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), në kuadër të operacionit të koduar “Basti i Fundit”, bazuar në informacionin e siguruar nga strukturat e Inteligjencës Operative të Agjencisë, ka ushtruar kontroll në ambientet e një bar-kafeje në pronësi të shtetasit A.S, në vendin e quajtur “Tregu Fshatar”, pranë Fushë-Krujës.

Sipas njoftimit, gjatë kontrollit të ushtruar në këto ambiente janë konstatuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

– 4 pajisje elektronike kompjuterike, të dyshuara se përdoreshin për ushtrimin e paligjshëm të lojërave të fatit;

– 4 monitorë;

– pajisje serverike dhe elemente të tjera teknologjike, të dyshuara se përdoreshin për organizimin dhe ushtrimin e basteve sportive të paligjshme.

Nga strukturat kompetente të AMP-së po kryhen veprimet e para hetimore dhe procedurale për dokumentimin e plotë ligjor të aktivitetit të dyshuar të paligjshëm, identifikimin e personave të përfshirë në organizimin dhe ushtrimin e tij, si dhe verifikimin e çdo rasti të mundshëm favorizimi, mosveprimi apo përfshirjeje nga punonjës të Policisë së Shtetit apo subjekte të tjera të fushës së veprimit të Agjencisë.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së paligjshme, përcaktimin e përgjegjësive individuale dhe vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore të çdo personi të përfshirë.

AMP mbetet e angazhuar në evidentimin, parandalimin dhe goditjen e çdo veprimtarie të paligjshme që favorizohet, tolerohet apo mbështetet nga punonjës të strukturave që janë subjekt i mbikëqyrjes së saj, duke garantuar hetim të paanshëm, profesional dhe në përputhje të plotë me ligjin.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply