Analisti dhe gazetari Ilir Demaliaj është dhunuar në afërsi të shtëpisë së tij. Në fotot e publikuara në media, dallohet se dëmtimet që i janë shkaktuar Demalisë janë të dukshme në pjesën e fytyrës.
Vetë Demalia pretendon se sulmi nuk ka të bëjë me motive politike apo të profesionit. Në kallëzimin që ka depozituar në polici, ai u shpreh se autor është një banor i zonës, që e kishte akuzuar se kishte lajmëruar policinë për të shkuar për të gjobitur makinat e parkuara keq në rrugë.
Policia ka identifikuar dhe e ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar.
“Sot, më datë 01.07.2026, rreth orës 12:00, në rrugën “Çamëria”, dyshohet se, për motive të dobëta, është goditur me grusht gazetari, shtetasi I. D., i cili është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe, falë veprimeve të shpejta hetimore, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit R. S., i cili është shpallur në kërkim. Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Në vijim të veprimeve procedurale, është bërë bllokimi dhe sekuestrimi i automjetit të përdorur nga autori i dyshuar”, njofton policia.

