Nëse Lille po mahnit nën shenjën e Davide Ancelottit, Paris Saint Germain po befason…në aspektin e kundërt. Klubi parizien pasi triumfoi në Superkupën Evropiane pasi mposhti Aston Villën, dështoi në Superkupën e Francës ndaj Lens e për më tepër në kampionat në 3 ndeshje ka grumbulluar vetëm 2 pikë.
Bilanci i kampionëve të Francës dhe Evropës në këto 3 javë të para të Ligue 1 flet qartë; 2 barazime dhe një humbje, e fundit këtë të premte në shtëpi kundër Monacos. Një fillim shokues i sezonit për Paris Saint Germain që nuk i ndodhte që nga sezoni 2007-2008. Kanë kaluar plot 19 vjet dhe atë vit, parizienët e mbyllën kampionatin në vendin e 16, vetëm 3 pikë më shumë se skuadra e vendit të fundit. Por kjo situatë nuk e shqetëson trajnerin Luis Enrique që e sheh gotën gjysmë plot pas humbjes me Monaco.
‘Jam i kënaqur me atë që pashë-tha Luis Enrique-bëmë shumë gjëra pozitive. Me siguri nuk ishim në formën tonë më të mirë. Për mua është e qartë se do ta kishim merituar fitoren, ndonjëherë futbolli është i pashpjegueshëm. Dia të nënvizoj mentalitetin e futbollistëve. Do të jetë një kampionat emocionues. Duhet të përgatitemi për të ardhmen’
Më pas në konferencën për shtyp trajneri asturian shtoi: ‘Nëse doni të vini bast për skuadrën që do të jetë kampione e Francës në fund të sezonit, mund ta bëni…unë nuk them asgjë’. Me fjalë të tjera Luis Enrique ka shumë siguri, do të jetë fusha ajo që do të flasë.