web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Çmimet e lira në Greqi, qytetarë e zyrtarë dynden në Kostur/ Radhë e gjatë në Kapshticë

6 Shtator 2026, 18:01, Aktualitet CNA

Çmimet e lira në Greqi, qytetarë e zyrtarë dynden në

Edhe pse sezoni veror ka përfunduar, radhët e automjeteve në pikën kufitare të Kapshticës vijojnë të jenë të gjata. Fluksi i qytetarëve që kalojnë drejt Greqisë mbetet i lartë, ndërsa një nga arsyet kryesore është bërë blerja e produkteve ushqimore me çmime më të favorshme.

Banorë të qyteteve dhe fshatrave pranë kufirit udhëtojnë drejt Kosturit për të bërë pazaret e përditshme, duke përfshirë ushqimet dhe produktet bazë të konsumit. Për shumë familje, diferenca e çmimeve mes Shqipërisë dhe Greqisë është një arsye e mjaftueshme për të kaluar kufirin.

Madje, Greqia ka ndërmarrë së fundmi një tjetër masë për lehtësimin e kostos së jetesës, duke ulur çmimet e mbi 1600 produkteve bazë, çka e bën edhe më të leverdishme blerjen e tyre në tregun grek.

Ajo që bie në sy është se në Greqi për të bërë pazaret nuk shkojnë vetëm qytetarët e thjeshtë, por edhe zyrtarë të institucioneve publike në zonat pranë kufirit zgjedhin të kalojnë në anën tjetër të kufirit për të blerë ushqimet dhe produktet e përditshme.

Një situatë që ngre pikëpyetje mbi çmimet në tregun shqiptar dhe fuqinë blerëse të qytetarëve, kur edhe persona që punojnë në institucionet publike të zonës preferojnë të kryejnë një pjesë të blerjeve të tyre në Greqi.

Kosturi, falë afërsisë me kufirin është kthyer prej vitesh në një destinacion të zakonshëm për banorët e Korçës, Devollit dhe fshatrave përreth. Përtej turizmit, lëvizjet drejt Greqisë po lidhen gjithnjë e më shumë me një arsye të thjeshtë, pazari kushton më pak dhe radhët në Kapshticë, edhe pas përfundimit të sezonit veror janë dëshmia më e dukshme e këtij fenomeni. /CNA





Lajmet e fundit nga