
Zjarri i përmasave të mëdha që përfshiu ditën e djeshme Bashkinë Himarë vijon ende të mbetet aktiv, ndërsa mëngjesit e sotëm ka nisur ndërhyrja nga ajri. Sipas informacioneve paraprake, në terren janë angazhuar trupat e Forcave të Armatosura së bashku me forcat e shërbimit zjarrfikës nga Himara, Vlora, Delvina dhe Saranda.
Prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Alushi ka bërë një deklaratë në lidhje me situatën duke u shprehur se 170 efektivë janë të angazhuar në terren për shuarjen e flakëve. Sipas saj, situata po monitorohet që nga mbremja e djeshme dhe aktualisht konsiderohet nën kontroll.
“Jemi sërish në terren duke monitoruar situatën me të gjitha forcat që janë prezent që nga mbrëmjen e djeshme, ku kemi marrë sinjalizimet. Janë angazhuar forcat e MSZH-së së Himarës dhe kanë ardhur në ndihmë forcat nga Delvina, Vlora dhe Saranda, si edhe Forcat e Armatosura. Janë rreth 170 efektivë të përfshirë në këtë operacion.
Dje patëm një risk në zonën e Potamit, por nuk ka rrezik për në zonën e banuar. Aktualisht jemi në kodrën e Pilurit dhe operacioni është pozicionuar atje për shkak të rrezikut që ka pasur zona.
Bashkia do të bëjë verifikimet në terren. Kemi pasur 3 shtëpi të banuara dhe 3 të pabanuara, të cilat janë prekur nga zjarri. Sa i përket banorëve të evakuuar, kemi pasur 36 të tillë, jo sepse ka pasur rrezik për banesat e tyre, por si masë parandaluese”, deklaroi Alushi.



