E FunditVendi

Me çanta në duar dhe të përlotur, banorët në Fier evakuohen nga zonat e rrezikuara

Situata nga zjarri në fshatrat e Fierit vijon të jetë problematike, ndërsa flakët janë afruar pranë zonave të banuara.

Përballë rrezikut, banorët kanë nisur të largohen nga banesat duke marrë me vete sendet personale.

Nga fotografia e siguruar mund të shihen banorë me çanta në duar, disa prej tyre të përlotur, teksa largohen nga zona e rrezikuar.

Disa të tjerë kanë ngurruar të lënë shtëpitë, pavarësisht afrimit të flakëve.

Mes tyre është edhe një e moshuar, e cila ishte evakuuar disa orë më parë. Ajo i është drejtuar efektivëve të Policisë duke kërkuar që ta çojnë sërish në banesën e saj.

Policët janë përpjekur ta bindin që të mos kthehet për momentin dhe të presë derisa situata të jetë nën kontroll.

Zjarri në zonën e Fierit nisi në Vadhizë dhe më pas u përhap drejt Levanit, i favorizuar nga era e fortë dhe temperaturat e larta. Flakët kanë përshkuar ullishte, zona me shkurre e pyje me pisha, ndërsa janë raportuar edhe banesa të djegura.

Në zonën e Qafës së Koshovicës flakët iu afruan edhe bizneseve. Një lokal dhe një shtëpi e pabanuar janë përfshirë nga zjarri, ndërsa në operacion është ndërhyrë edhe nga ajri.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button