E FunditVendi

LEVANI NË ZJARR! Kreu i AKMC: Po operojmë me dy helikopterë,

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, ndodhet në zonën e Levanit, ku zjarri vijon të mbetet problematik.

Flakët kanë përfshirë prej disa orësh kodrat e Fierit, duke u përhapur në pyje dhe ullishte, ndërsa ndërhyrja po kryhet nga toka dhe ajri.

Çako tha se në operacion janë angazhuar dy helikopterë dhe një avion “Air Tractor”, të cilët kanë punuar për orë të tëra për të frenuar përhapjen e flakëve.

“Po vazhdojmë punën, ka disa orë që Levani dhe kodrinat e Fierit janë përfshirë nga një zjarr masiv. Po operohet me të gjitha forcat nga toka, po operohet gjithashtu edhe nga ajri me dy helikopterë”, tha Çako.

Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e flakëve është vënë nën kontroll dhe për momentin bizneset dhe zonat e banuara që ishin rrezikuar ndodhen jashtë rrezikut.

Disa persona janë larguar nga bizneset si masë sigurie, ndërsa nga banesat nuk ka pasur evakuime. Deri tani, sipas raportimeve të mbërritura te autoritetet, vetëm një banesë e braktisur është përfshirë nga flakët, pa u djegur plotësisht.

Çako tha se zjarri ka përfshirë kryesisht sipërfaqe me pemëtari dhe ullishte, ku prania e shkurreve dhe barishteve të dendura ka ndihmuar në përhapjen e flakëve.

“Është një ndezje nga dora e njeriut”, tha Çako, ndërsa kërkoi që autoritetet përgjegjëse të hetojnë rastet e zjarrvënieve dhe të marrin masa ndaj personave që i shkaktojnë ato.

Ndërkohë, situata nuk është e kufizuar vetëm në Fier. Çako tha se gjatë ditës janë regjistruar vatra edhe në Zall-Herr dhe në zonën e Niklës, ku era e fortë dhe temperaturat e larta kanë favorizuar përhapjen e zjarreve pranë zonave të banuara.

“Është dhe një avion në mbështetje të dy helikopterëve, por situata sotme ka pasur edhe problematikat e veta edhe në zona të tjera, jo vetëm në Levan”, tha ai.

Për orët e natës, ndërhyrja nga ajri do të ndërpritet, pasi helikopterët nuk operojnë në errësirë. Puna do të vijojë nga toka me njësitë zjarrfikëse dhe strukturat e tjera, me fokus mbrojtjen e banesave dhe jetës së qytetarëve.

“Do të operohet me forcat nga toka me të gjitha njësitë zjarrfikëse dhe me strukturat e tjera për të mbajtur në monitorim zonat e banuara dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me jetën e qytetarëve dhe me ekonominë”, tha Çako.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button