E FunditSocialeVendi

84 familje në Fushë-Buall prej tre muajsh pa ujë të pijshëm

Prej më shumë se tre muajsh, rreth 84 familje në fshatin Fushë-Buall të Elbasanit po përballen me mungesën e ujit të pijshëm. Banorët thonë se situata ka vijuar gjatë dhe se, pavarësisht shqetësimit të përcjellë, ende nuk ka një zgjidhje.

Kryetarja e Këshilltarëve të PD në Këshillin Bashkiak Elbasan, Bjanka Çopja dhe këshilltari i PD, Altin Mecja, kanë zhvilluar një takim me banorët e Fushë-Buallit, duke u njohur nga afër me problematikën e mungesës së ujit të pijshëm.

Banorët e lidhin mungesën e ujit me HEC-in e ndërtuar në zonë. Sipas tyre, ndërhyrjet e kryera për ndërtimin e hidrocentralit kanë sjellë devijimin e burimeve ujore dhe kanë ndikuar në furnizimin e familjeve me ujë të pijshëm. Ata këmbëngulin se problemi nuk mund t’i atribuohet thatësirës, pasi zona disponon burime të shumta ujore.

Çopja ka rikujtuar se ndërtimi i HEC-it ishte kundërshtuar prej saj në Këshillin Bashkiak të Elbasanit, pikërisht për shkak të shqetësimeve mbi ndikimin që mund të kishte projekti te banorët. Sipas saj, pavarësisht votës kundër, projekti u miratua nga mazhoranca.

Në terren janë ngritur gjithashtu shqetësime për devijim nga projekti fillestar dhe për parregullsi në dokumentacionin përkatës.

Ndërsa banorët vijojnë të presin rikthimin e ujit të pijshëm, mbetet për t’u verifikuar nga institucionet përgjegjëse shkaku i ndërprerjes së furnizimit dhe nëse aktiviteti i HEC-it ka ndikuar në devijimin e burimeve ujore.

Për 84 familjet e Fushë-Buallit, mungesa e ujit prej tre muajsh mbetet një problem i përditshëm që kërkon ndërhyrje konkrete.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button