E FunditVendi

​I fiksuar pas çantave të femrave. Gjykata mbyll në burg 27-vjeçarin

Një 27-vjeçar nga Pogradeci, i fiksuar pas çantave të femrave, është arrestuar nga oficerët e Komisariatit Nr. 6 në Tiranë, pasi brenda muajit gusht 2026, ka kryer plot 5 vjedhje të çantave të femrave.

I riu Eduart Rusi është arrestuar më 2 shtator dhe tashmë ndaj tij Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e prokurorisë, duke caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”.

Sipas dosjes hetimore, rezulton se 27-vjeçari Rusi është një hajdut përsëritës në vjedhjen e çantave të femrave, ku brenda një kohe të shkurtër të muajit gusht, ai ka kryer 4 vjedhje të çantave.

Më konkretisht, në datën 1 gusht 2026, Eduart Rusi, në zonën e “Astirit”, i ka vjedhur çantën shtetases Gj. Kaja. Në çantë, kjo shtetase ka pohuar se kishte sende personale dhe shumën financiare prej 400 eurosh, si dhe një shumë lekësh.

Pas vjedhjes, Rusi është larguar me vrap, duke mos mundur të ndalohet nga kalimtarët e rastit që ndodheshin te “Zgara Harli”.

Gjithashtu, 3 ditë më vonë nga kjo ngjarje, në datën 4 gusht 2026, i njëjti person i ka vjedhur çantën shtetases V. Gjata. Kjo e fundit ka deklaruar se në çantë kishte sende personale dhe një sasi lekësh.

Rusi ka përdorur të njëjtin mekanizëm, duke vjedhur çantën në ambientet e lokalit “Fam” në “Astir” dhe më pas është larguar me vrap, pa mundur të ndalohet nga personat e pranishëm.

Nuk ka kaluar shumë ditë, kur 27-vjeçari nga Pogradeci, më 13 gusht 2026, në ambientet e “Pizza Vrapi”, i ka vjedhur aparatin e telefonit shtetasit “A. Vrapi”.

Ndërkohë, në datën 28 gusht, Eduart Rusi është shfaqur sërish, por këtë herë në zonën e Yzberishtit, duke sulmuar në lokalin “Luiz”. Pikërisht në ambientet e këtij lokali, vjedhësi serial ka sulmuar A. Seferasi, të cilës i ka vjedhur çantën, në të cilën ajo ka deklaruar se kishte sende personale dhe portofolin me një sasi lekësh.

Por sërish, më 31 gusht, Eduart Rusi shfaqet në ambientet e një bilardoje në zonën e quajtur “9 Kateshet”, ku aty ka vjedhur një aparat telefonik “Android” dhe më pas është larguar.

Gjatë hetimeve të kryera për 5 rastet e mësipërme, të ndodhura vetëm në muajin gusht, oficerët e policisë kanë sekuestruar disa pamje filmike të lokaleve, duke u dalluar qartë Eduart Rusi që vidhte çantat dhe telefonat dhe më pas largohej me vrap.

Në rrugë operative është bërë identifikimi i tij dhe më pas arrestimi, në datën 2 shtator. Gjatë marrjes në pyetje, Eduart Rusi ka pranuar të gjitha rastet e dokumentuara nga oficerët e Komisariatit Nr. 6. Ndërsa nuk ka pranuar të ketë kryer episode të tjera vjedhjeje në Tiranë.

Nga ana tjetër, Policia e Tiranës ka marrë në verifikim këtë person nga Pogradeci edhe për raste të ngjashme vjedhjesh të kryera në zona të ndryshme të Tiranës.

Ndaj tij është ngritur akuza e “Vjedhjes”, të kryer në 5 raste, dhe se prej dy ditësh Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e “Arrestit në burg” për pogradecarin Eduart Rusi.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button