Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë ka reaguar lidhur me rritjen e numrit të të prekurve nga ethet e Nilit Perëndimor, duke akuzuar Qeverinë dhe institucionet shëndetësore për menaxhim të dobët të situatës.
Sipas LSDM-së, deri më 1 shtator të këtij viti, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar gjithsej 56 raste me ethet e Nilit Perëndimor, ndërsa shtatë persona kanë humbur jetën.
Nga kjo parti pretendojnë se vendi renditet i pari në Evropë për numrin e rasteve në raport me numrin e banorëve, përpara vendeve si Italia, Greqia dhe Rumania.
“Njësoj si gjatë krizës shëndetësore me helmimet në Gostivar, edhe këtë herë institucionet shëndetësore reaguan me vonesë. Qeveria nuk ka kapacitet për ta parandaluar krizën dhe për ta mbrojtur shëndetin e qytetarëve, por reagon vetëm pasi situata të përshkallëzohet”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.
Partia opozitare kritikoi gjithashtu edhe kryetarin e Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, duke pretenduar se spërkatja kundër mushkonjave nuk është kryer në kohën e duhur.
Sipas LSDM-së, sistemi për parandalimin, mbrojtjen dhe kontrollin e sëmundjeve që transmetohen nëpërmjet vektorëve nuk funksionon, ndërsa institucionet përgjegjëse reagojnë vetëm ndaj pasojave të epidemisë.
“Çmimin e këtij mosfunksionimi e paguajnë qytetarët me shëndetin e tyre”, përfundon reagimi i LSDM-së.
Nga ana tjetër, Mickoski tha se ky vit është mbi mesataren kur bëhet fjalë për infeksionet nga ethet e Nilit Perëndimor kudo në Evropë, duke shpjeguar se këtë vit kjo sfidë shëndetësore është veçanërisht e theksuar në nivel evropian dhe nuk është specifike vetëm për vendin.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas përurimit të Çarshisë së Vjetër të rindërtuar në Gjevgjeli, në lidhje me rastet e ethes së Nilit Perëndimor, Mickoski tha se sipas informacioneve që ka, komunat kanë zbatuar aktivitetet e planifikuara për mbrojtjen nga mushkonjat në përputhje me protokollet e rregullta.
“Ne i kontrolluam informacionet dhe bazuar në ato që kam, të gjitha komunat i kanë përfunduar aktivitetet e tyre brenda protokollit të rregullt. Nuk mund të them se dikush nuk e ka bërë këtë ose se e ka neglizhuar detyrimin”, theksoi Mickoski.
Sipas tij, jo vetëm ne, por edhe të gjitha vendet e Mesdheut po përballen me ethet e Nilit Perëndimor.
“Fakti është se ky vit është mbi mesataren kur bëhet fjalë për këtë lloj sfide me të cilën po përballemi ne, por edhe, relativisht, të gjitha vendet e Mesdheut. Kjo përfshin Italinë dhe Spanjën, ku, për fat të keq, vdekjet nga ethet e Nilit Perëndimor numërohen në qindra”, shtoi kryeministri.





