Aplikacion
Një grabitje në një banesë luksoze në Spanjë ka marrë një kthesë të papritur, pasi autorët janë përballur me praninë e pronarëve në momentin kur po kërkonin sende me vlerë.
Në qendër të ngjarjes është sipërmarrësja dhe influencuesja spanjolle Rocío Osorno, e cila ka treguar në rrjetet sociale momentet e frikshme kur zbuloi se dy persona të maskuar ndodheshin brenda shtëpisë së saj.
Sipas dëshmisë së saj, Osorno ishte në katin e sipërm të banesës duke punuar për disa materiale që do të publikonte online. Në një moment, ajo vuri re një detaj që i ngriti menjëherë dyshimet: një dritare që normalisht mbahej e mbyllur ishte e hapur.
Dyshimi se dikush kishte hyrë në banesë u kthye shumë shpejt në alarm. Influencuesja nisi të thërriste për të njoftuar familjarët dhe për të shmangur çdo përballje të drejtpërdrejtë me personat që ndodheshin brenda. Dy grabitësit janë kapur duke kontrolluar garderobën dhe hapësirat ku mbaheshin bizhuteri, duke kërkuar sende që mund të kishin vlerë. Të dy përdornin elektrik dore të vendosur në kokë, ndërsa përpiqeshin të kryenin grabitjen pa u vënë re.
Situata ndryshon në momentin kur kuptojnë se janë zbuluar. Ata janë dëgjuar duke komunikuar në gjuhën shqipe dhe nisin të largohen me nxitim nga banesa, duke marrë me vete ato që kishin mundur të siguronin.
Personat e dyshuar, pasi kuptojnë se janë zbuluar, zgjedhin të largohen përmes dritares, duke i dhënë fund në këtë mënyrë grabitjes./ Zoom.al