Aplikacion
Këngëtari dhe ish-banori i Big Brother VIP Albania, Jozefin Marku, është arrestuar në zonën e Kombinatit, pas një konflikti fizik me ish-banorin e Big Brother VIP Kosova, Eduart Kuçi.
Sipas raportimeve, Jozefin Marku është shoqëruar në polici pas përplasjes, ndërsa në ngjarje dyshohet se kanë qenë të përfshirë edhe disa persona të tjerë.
Konflikti është filmuar dhe pamjet janë shpërndarë në rrjetet sociale. Sipas të dhënave paraprake, përplasja dyshohet se është paraprirë nga deklarata të publikuara online nga Eduart Kuçi, i cili kishte kritikuar dhe ofenduar Jozefin Markun, duke e lidhur situatën edhe me një konflikt të mëparshëm që kishte të bënte me këngëtarin Gjesti.
Në videot e publikuara më herët, Eduart Kuçi kishte deklaruar se do të kërkonte llogari ndaj Jozefin Markut dhe e kishte paralajmëruar për pasojat në rast se do të udhëtonte në Kosovë.
Pak kohë pas këtyre deklaratave, dy personazhet janë përballur në rrugë, ku debati ka kaluar në përplasje fizike. Në pamjet e bëra publike, Jozefin Marku shihet duke goditur Eduart Kuçin, ndërsa i kërkon llogari për deklaratat dhe kërcënimet e bëra në rrjetet sociale.
Policia ka nisur hetimet për të dokumentuar rrethanat e konfliktit dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e personave të përfshirë.