Aplikacion
Nga toka e ndarë me ligjin 7501, te AMTP-të e kontestuara, vendimet gjyqësore, lejet e dhëna nga institucionet shtetërore dhe në fund shpronësimi i shpallur nga Edi Rama. Dokumente shtetërore e gjyqësore kanë konstatuar se trualli është shtetëror. Por çfarë po shpronëson Rama dhe dhe kush do t’i marrë paratë?
Nga Zoom.al
Edi Rama zgjodhi ta mbyllë konfliktin mes biznesmenëve Vasil Bedinaj e Luan Muça për 97,000 m2 katror tokë në Palasë me një vendim politik të stilit të tij, që në pamje të parë duket sikur është ndëshkim për rrëmujaxhinjtë që kapën armët. Ai tha se zona ku dy biznesmenë u përplasën me armë do të shpronësohet dhe do të kthehet në një hapësirë publike, një park me ullinj, një muze të vajit të ullirit.
Por pas këtij vendimi të kryeministrit qëndrojnë një sërë pikëpytjesh, ndërsa dyshimet se institucionet shtetërore, ku ai ka rol vendimmarrës, si KKT apo AZHT, janë shkaku i sherrit.
Luan Muça, në një reagim të bërë këtë të diel, thotë se tokën me sipërfaqe 97,000 m2 e ka blerë dy herë nga disa pronarë ,në vitin 2019. Kjo tokë u është kthyer disa banorëve me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi, AMTP, një dokument që përdoret në Shqipëri për të dokumentuar kalimin e sipërfaqeve të ndryshme bujqësore në pronësi të familjeve përfituese, bazuar në ligjin 7501.
Dhe Muça, sipërfaqen ku kishte marrë lejen për të ndërtuar një hotel luksoz, një brand ndërkombëtr, e ka blerë prej tyre.
Por siç mëson Zoom.al nga burime pranë Kadastrës, presonat që ia kanë shitur Muçës nuk e kanë pasur dokumentacionin e rregullt. “Për të vërtetuar këtë, – thonë burimet, – ka vendime gjyqësore dhe hetime të thelluara të prokurorisë”. Sipas dokumenteve dhe vendimeve të drejtësisë që lidhen me historikun e kësaj prone, ekzistojnë procedime dhe procese gjyqësore ku është trajtuar pikërisht karakteri i tokës dhe vlefshmëria e dokumenteve të përdorura për pretendimet e pronësisë.
Nëse këto pretendime janë të vërteta, rezultati është se toka që pretendohet nga Muça dhe Bedinaj është tokë shtetërore. Pa verifikuar asnjë dokument Edi Rama deklaroi se do ta shpronësojë tokën, për ta bërë ullishte. Por si mundet ta shpronësojë nëse ajo është tokë shtetërore. Dhe kush do t’i marrë paratë e taksapaguesve, Bedinaj i sherreve të përsëritura nëpër bare e restorante në Vlorë që rri me persona të dyshimtë, apo Muça që shkon në takime i shoqëruar nga njerëz të armatosur?
Vendimi i Ramës për shpronësim duket më shumë si një shashkë. Ai jo vetëm që nuk do të mund ta shpronësojë këtë tokë, por kjo parcelë do të jetë një casus perfekt për SPAK për të kuptuar se si jepen lejet e ndërtimit dhe se çfarë bëhet me pronat në bregdet. Për këtë arsye, ndërhyrja e Ramës po shihet nga hetuesit si një përpjekje për të fshehur gjurmët e vendimeve të institucioneve shtetërore, Kadastrës së drejtuar nga Lorena Goxhobelli, AZHT -së së drejtuar nga Adelajda Roka dhe KKT -së që drejtohet nga vetë Rama. Pra, më shumë sesa ndëshkim për biznesmenët që i ka bërë vetë “invesitorë strategjikë”, duke u dhënë leje të shumta ndërtimi, me këtë vendim Rama duket se po kërkon të fshijë çdo gjurmë që e kompromenton atë dhe zyrtarët e tij më të afërt të lejeve të ndërtimit nga ky skanda.
Siç pohon vetë biznesmeni Luan Muça, AZHT është vënë në dijeni se për të njëjtën parcel toke ka pretendime prej dy palëve të ndryshme se e disponojnë me dokumenta shtetërore. Por sipas ligjit, AZHT duhet të kryejë verifikime të thelluara mbi çdo pronë për të cilën vendos të japë leje. Në rastin e Luan Muçës, ajo ka dhënë leje për projektin e hartuar nga artiktekti turk pranë Ramës, Emre Arolat, pa verififikuar që prona është marrë me AMTP dhe ajo është një pronë me mbivendosje.
Burime të Zoom.al pranë AZHT, thonë se Adelajda Roka ka qenë vënë në dijeni kohë më parë për problemin e pronësisë së tokës dhe nuk e ka zgjidhur atë, madje e ka thelluar duke thënë dy leje për dy kompani të ndryshme për të njëjtën parcelë. Po kështu, edhë në rastin kur ka dhënë lejen për projekitn luksoz të Vasil Bedinajt, AZHT nuk ka kryer verifikime mbi pronën.
Këto veprime janë një rast hetimor për prokurorët e SPAK. Por derisa Prokuroria e Posaçme të zbardhë se çfarë ka ndodhur me lejet e ndërtimit në këtë sipërfaqe, ajo duhet të pezullojë edhe procedurat e shpronësimit të tokës. Siç pohojnë burime të besueshme të Zoom.al, nëse do të verifikohet i gjithë dokumentacioni i asaj prone, në fund do të rezultojë se ajo është tokë shtetërore, e marrë nëpërmjet një serie manipulimesh e falsifikimesh dhe se nuk ka nevojë të rishtetëzohet duke u bërë sërish favore biznesmenëve që Rama bën sikur po i ndëshkon. /Zoom.al