zoom

Aktualitet

Zjarret apokaliptike, si paraqitet situata në Himarë! Ndërhyrje nga toka dhe ajri për shuarjen e flakëve

Zjarret apokaliptike, si paraqitet situata në Himarë! Ndërhyrje nga toka dhe ajri për shuarjen e flakëve

Ndërhyrja për shuarjen e zjarrit që përfshiu mbrëmjen e së premtes Himarën dhe disa fshatra përreth vijon edhe mëngjesin e sotëm, ndërsa në operacion janë angazhuar forca në terren dhe helikopterë për ndërhyrjen nga ajri.

Flakët kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa dhe prona. Sipas të dhënave të raportuara deri tani, rreth 50 shtëpi dhe vila janë prekur nga zjarri, ndërsa shtatë banesa janë shkrumbuar plotësisht, prej tyre katër të banuara dhe tre të vjetra.

Gjatë natës, 171 efektivë dhe 10 mjete të Forcave të Armatosura kanë qenë të angazhuar në terren, së bashku me mjete të tjera zjarrfikëse dhe një ambulancë, në përpjekje për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të mbrojtur banorët dhe pronat.

Mëngjesin e sotëm ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri, me helikopterë që po hedhin ujë mbi vatrat aktive. Në terren vijojnë të jenë forcat zjarrfikëse, Forcat e Armatosura dhe strukturat e Bashkisë Himarë, ndërsa operacioni për izolimin e zjarrit vazhdon.

Zjarri ka shkaktuar dëme edhe në aktivitetet turistike të zonës. Disa hotele dhe struktura akomoduese në Himarë dhe Potam janë evakuuar gjatë natës, ndërsa turistë dhe pushues janë larguar nga zonat që u kërcënuan nga flakët.

Përveç banesave, janë dëmtuar edhe prona bujqësore, me parcela me ullinj, koshere bletësh dhe pemë frutore të prekura nga zjarri. Dëmet materiale vijojnë të vlerësohen nga ekipet në terren.

Autoritetet po punojnë për vendosjen nën kontroll të plotë të vatrave dhe për mbrojtjen e zonave të banuara. Situata mbetet në zhvillim, ndërsa bilanci përfundimtar i dëmeve pritet të dalë pas përfundimit të ndërhyrjes.

Postime të lidhura