zoom

Aktualitet

Sherr për një vajzë, shqiptari nxjerr thikën dhe plagos rëndë marokenin në Itali

Sherr për një vajzë, shqiptari nxjerr thikën dhe plagos rëndë marokenin në Itali

Një konflikt mes dy personave në Treviglio të Italisë ka përfunduar me një 35-vjeçar maroken të plagosur rëndë dhe një 22-vjeçar shqiptar në pranga.

Ngjarja ka ndodhur në zonën pranë stacionit të trenit, ndërsa në qendër të hetimeve është një konflikt që dyshohet se lidhet me një vajzë.

Sipas rindërtimit paraprak të bërë nga autoritetet italiane, dy personat kanë zbritur nga i njëjti tren në stacionin e Treviglios. 35-vjeçari maroken shoqërohej nga dy persona të tjerë, ndërsa mes tij dhe 22-vjeçarit shqiptar ka nisur një debat që më pas ka kaluar në përplasje fizike.

Një dëshmitar, i cili administron një lokal pranë stacionit, ka treguar se tensionet mes dy të rinjve janë shfaqur që në momentin kur ata kanë zbritur nga treni. Sipas dëshmisë së tij, shqiptari ka bërtitur dhe ka kërcënuar personat e tjerë, duke u thënë: “Do ju vras”.

Hetimet tregojnë se përplasja nuk është mbyllur në zonën e stacionit. Pak më vonë, në një parkim në bulevardin Vittorio Veneto, pranë xhamisë së qytetit, 22-vjeçari dyshohet se është përballur sërish me 35-vjeçarin. Sipas autoriteteve, i riu kishte me vete dy thika dhe ka goditur marokenin në krah dhe në pjesën e mesit të shpinës.

Në zonë ndodheshin disa dëshmitarë, mes tyre edhe persona që po shkonin drejt xhamisë. Një grua që pa skenën ka telefonuar shërbimet e emergjencës.

I plagosuri është dërguar me urgjencë në spitalin e Treviglios. Gjendja e tij fillimisht është konsideruar e rëndë, ndërsa më pas është stabilizuar. Megjithatë, ai vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve dhe prognoza mbetet e rezervuar.

Kamerat e sigurisë në zonën e stacionit janë një prej provave që po analizohen nga hetuesit për të rindërtuar dinamikën e plotë të konfliktit.

Sipas versionit paraprak të hetimit, 35-vjeçari dyshohet se kishte kërcënuar më herët shqiptarin në një nënkalim, duke përdorur një thikë të madhe kuzhine. Më pas, situata është përshkallëzuar dhe konflikti ka vijuar në një tjetër pikë të qytetit.

Në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një thikë me teh të palosshëm, e cila dyshohet se mund të jetë përdorur gjatë sulmit.

22-vjeçari shqiptar është arrestuar nga karabinierët e Treviglios dhe ndodhet në burg, ndërsa ndaj tij rëndon akuza për tentativë vrasjeje.

Gjatë marrjes në pyetje nga prokurorja Giulia Angeleri, i riu ka pranuar se e ka goditur 35-vjeçarin me thikë. Megjithatë, ai ka pretenduar se veprimi i tij ka ardhur si reagim ndaj një sulmi dhe ka tentuar ta paraqesë ngjarjen në kuadër të vetëmbrojtjes./ Zoom.al

Postime të lidhura