Aplikacion
Një paketë e re masash ekonomike në Greqi pritet të prekë një numër të madh pensionistësh dhe punonjësish, me ndryshime që shtrihen nga pagesat shtesë deri te rritja e pagave dhe ulja e kontributeve.
Një nga masat kryesore është pagesa vjetore prej 400 eurosh për pensionistët, e cila parashikohet të jepet çdo nëntor duke nisur nga viti 2026.
Numri i përfituesve pritet të rritet nga rreth 1.87 milionë në 2.2 milionë persona, pasi parashikohet heqja e kritereve që lidhen me të ardhurat dhe pasurinë. Kushti kryesor do të jetë mosha: përfituesit duhet të kenë mbushur 65 vjeç.
Masa do të përfshijë gjithashtu personat me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit e pasiguruar. Pagesa është rritur me 100 euro, nga 300 në 400 euro.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me mekanizmin e njohur si “diferenca personale”. Ky mekanizëm pritet të hiqet përfundimisht në fund të dhjetorit, duke bërë që rritja vjetore e pensioneve të reflektohet plotësisht për të gjithë pensionistët.
Sipas shembujve të mediave greke, një pensionist me pension 823 euro do të përfitojë 208 euro shtesë në vit nga rritja, ndërsa duke llogaritur edhe pagesën prej 400 eurosh, përfitimi vjetor shtesë do të shkojë në 608 euro.
Për pensionet më të larta, përfitimi total vjetor parashikohet të jetë edhe më i madh. Një pension prej 1086 eurosh lidhet me një përfitim vjetor prej 684 eurosh, ndërsa për pensionin 1716 euro, shuma arrin në 849 euro.
Nga dhjetori 2027, rreth 720 mijë punonjës të sektorit publik pritet të përfitojnë një bonus vjetor prej 500 eurosh bruto për Krishtlindje.
Masa shihet si një rikthim i pjesshëm i pagës së 13-të. Për më tepër, bonusit do t’i llogariten kontributet pensionale, çka sipas paketës do të ndikojë edhe në përfitimet e ardhshme të punonjësve.
Punonjësit e administratës publike parashikohet të marrin gjithashtu një shtesë prej 30 eurosh nga 1 prilli 2027, pavarësisht nivelit të pagës.
Ndryshimet nuk kufizohen vetëm te sektori publik. Edhe punonjësit e sektorit privat që paguhen me pagën minimale pritet të përfitojnë nga rritjet e planifikuara.
Sipas skemës së prezantuar, paga minimale do të shkojë në 950 euro në prill 2027, ndërsa objektivi është që në janar 2028 të arrijë në 1000 euro.
Rritja pritet të reflektohet edhe te punonjësit që kanë vite përvojë dhe përfitojnë shtesën për trevjeçarët.
Në sektorin privat, punonjësit me kontratë përfitojnë një shtesë prej 10% për çdo trevjeçar, deri në tre periudha të tilla.
Kështu, një person me të paktën nëntë vite përvojë mund të arrijë deri në 30% shtesë mbi pagën bazë. Në shembullin e paraqitur, një punonjës me një trevjeçar përvojë mund të arrijë rreth 1045 euro pagë pas rritjes së pagës minimale./ Zoom.al