zoom

Lajme

Ambasadorja e re e BE-së në Shqipëri nis detyrën: Jam këtu për t’ju mbështetur drejt integrimit”

Ambasadorja e re e BE-së në Shqipëri nis detyrën: Jam këtu për t’ju mbështetur drejt integrimit”

Sofia Moreira de Sousa ka dhënë mesazhin e saj të parë pas marrjes së detyrës si ambasadore e Bashkimit Europian në Shqipëri. Diplomatja portugeze e ka cilësuar një moment të rëndësishëm për vendin nisjen e mandatit të saj, duke theksuar se fokusi do të jetë mbështetja e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

Në një videomesazh drejtuar publikut shqiptar, Moreira de Sousa është prezantuar në fillim të misionit të saj diplomatik, i cili do të zgjasë katër vite. Ajo ka shprehur kënaqësinë për përfaqësimin e BE-së në Shqipëri dhe ka nënvizuar rëndësinë e periudhës që po kalon vendi në raport me procesin e anëtarësimit në Union.

“Është një nder të jem këtu, në një moment kaq të rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Së bashku me ekipin tim në Delegacionin e BE-së, jam këtu për të mbështetur çdo hap të shqiptarëve drejt integrimit”, u shpreh ambasadorja e re.

Mesazhi i diplomates vjen në një periudhë kur procesi i integrimit europian mbetet një prej prioriteteve kryesore të Shqipërisë. Në këtë kuadër, ajo ka bërë të qartë se gjatë mandatit të saj do të angazhohet së bashku me ekipin e Delegacionit të BE-së për të mbështetur vendin në hapat e mëtejshëm të këtij procesi.

Moreira de Sousa ka vlerësuar gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me vendet anëtare të Bashkimit Europian, duke e parë koordinimin mes palëve si pjesë të rëndësishme të rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit.

Sofia Moreira de Sousa merr drejtimin e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, duke zëvendësuar Silvio Gonzaton dhe duke nisur një mandat katërvjeçar në një periudhë të rëndësishme për marrëdhëniet e vendit me Bashkimin Europian./ Zoom.al

Postime të lidhura