Aplikacion
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas konfliktit të dhunshëm mes dy biznesmenëve në zonën e Vlorës, duke deklaruar se qeveria ka vendosur të shpronësojë për interes publik të gjithë zonën ku ndodhi përplasja.
Në një reagim të tij, Rama e cilësoi ngjarjen si një “konflikt banal dhe brutal” dhe tha se ajo ka nxjerrë në pah nevojën për një ndërhyrje që, sipas tij, shkon përtej vetë konfliktit mes palëve.Sipas kryeministrit, qëllimi është që hapësira të transformohet në një aset me funksion publik dhe turistik.
“Ne kemi vendosur ta shpronësojmë për interes publik të gjithë zonën e atij konflikti banal dhe brutal të ditës së djeshme. Ta kthejmë në një aset turistik dhe publik për të gjithë. Oaz natyror për pemën e bekuar të ullirit. Një park i gjallë ku do të mbillen dhe të ruhen varietete autoktone shqiptare dhe ato të Mesdheut, dhe do të ekspozohen tërë vajrat e ullirit që prodhohen në Shqipëri”, deklaroi Rama.
Kryeministri e lidhi reagimin e tij edhe me imazhin turistik të vendit, duke theksuar se aktorët që operojnë në këtë sektor duhet të kenë një tjetër standard sjelljeje.
“Historia e djeshme mes konfliktit banal mes dy ndërtuesve dhe nga ana tjetër, një analizë e hartës pronësore të zonës në fjalë, na ka bindur se duhet jo vetëm t’i japim fund asaj historie, por duhet t’i japim një mesazh të qartë të gjithë atyre që zhvillojnë dhe menaxhojnë asete turistike”, tha ai.
Rama shtoi se Shqipëria, sipas tij, po ndërton një profil të ri turistik dhe se ky proces nuk lidhet vetëm me investimet apo transformimin fizik të territorit.
“Ata duhet të kuptojnë që nuk duhet ta cenojnë me qasjen dhe me sjelljen e tyre lënduese atë që është një mision i madh kombëtar, misioni ynë i Shqipërisë turistike, i cili shkon shumë përtej transformimit fizik të vendit dhe u imponon të gjithë aktorëve të vetë në radhë të parë, nga investitorët te kamarierët të sillen si ambasadorë të turizmit shqiptar, edhe me njëri-tjetrin”, u shpreh kryeministri. Në vijim të deklaratës së tij, Rama tha se sjelljet që dëmtojnë hapësirën publike, komunitetin apo turistët duhet të marrin përgjigje.
“Banaliteti dhe brutaliteti i çdo natyre duhet të marrin përgjigjet që kërkon rëndësia shoqërore e një misioni të tillë kombëtar dhe autorët e veprimeve lënduese të çdo niveli”, deklaroi ai.
Kryeministri përmendi konkretisht edhe sjelljet që, sipas tij, nuk duhet të tolerohen në zonat turistike.
“Me dhunë mbi tjetrin, me harbullëk mbi klientët, me papërgjegjshmëri mbi hapësirën e përbashkët publike, apo me akte arrogance dhe zhurma shurdhuese mbi komunitetin, duhet të bëhen shembull, shembull të një vije të kuqe domosdoshme për Shqipërinë”, tha Rama.
Reagimi i kryeministrit vjen një ditë pas një konflikti të rëndë mes dy biznesmenëve Vasil Bedinaj dhe Bujar Muça në Vlorë. Bujar Muça i shkoi i shoqëruar nga disa persona të tjerë Vasil Bedinajt në biznesin e tij, duke e kërcënuar me armë në dorë.Përplasja lidhet me një konflikt mbi pronësinë dhe përdorimin e një sipërfaqeje toke në zonë./ Zoom.al