
Një telefonatë e fundit e Lorena Itçeri, 46 vjeçe, drejtuar policisë pak para vrasjes së saj, ka zbardhur momentet dramatike që i paraprinë tragjedisë në Firence të Italisë.
Telefonata, që zgjati rreth 20 minuta, është tashmë një nga provat kryesore të hetimit.
Lorena telefonoi numrin e emergjencës 112 pak pas orës 14:00, ndërsa ndodhej e mbyllur në bagazhin e makinës së ish-partnerit të saj, 36-vjeçarit Federico Vela.
“Ish-partneri im më ka goditur dhe më ka rrëmbyer”, u tha ajo policëve, duke shpjeguar se burri e kishte dhunuar në garazh dhe më pas e kishte lidhur e futur në automjet.
Gjatë telefonatës, Lorena arriti t’u jepte autoriteteve edhe të dhënat e ish-partnerit të saj.
“Është ish-i dashuri im, quhet Federico, është 36 vjeç. Jam në makinë prej rreth dhjetë minutash”, tha ajo.
Policët e kuptuan se situata po përkeqësohej kur telefoni filloi të regjistronte tingujt brenda automjetit. Makina ndaloi dhe oficerët dëgjuan hapjen e bagazhit. Ata qëndruan të heshtur që të mos zbuloheshin nga autori.
Në atë moment u dëgjua zëri i Lorenës që i drejtohej ish-partnerit:
“Çfarë po bën? Të dua, mos u shqetëso, do të pajtohemi përsëri.”
Sipas hetuesve, këto mund të kenë qenë fjalët e fundit të saj dhe një përpjekje dëshpëruese për ta qetësuar atë dhe për t’i shpëtuar jetën. Sipas hetimit, Vela nuk e kishte pranuar ndarjen dhe në javët e fundit e kishte shqetësuar vazhdimisht përmes mesazheve.
Pak minuta më vonë, 36-vjeçari e çoi makinën në një urë mbi autostradën A1, në Barberino di Mugello, ku e hodhi Lorenën nga ura.
Rreth 40 minuta më pas, pas negociatave me policinë, edhe vetë 36-vjeçari u hodh nga e njëjta urë dhe i dha fund jetës.
Telefonata e fundit e Lorenës tashmë konsiderohet një nga elementët më të rëndësishëm të dosjes hetimore, pasi dokumenton momentet e fundit para tragjedisë./Versus.al

