Tre persona janë arrestuar nga Policia e Durrësit, pasi dyshohet se janë përgjegjës për dy raste zjarri të regjistruara në territorin e qarkut.
Në Ishëm, policia arrestoi shtetasit I. R., 48 vjeç, dhe R. J., 59 vjeç, banues në Sukth. Sipas hetimeve, dy personat po prisnin tuba hekuri me gur fresibël në një banesë, kur shkëndijat e krijuara gjatë punës dyshohet se shkaktuan zjarrin.
Flakët u përhapën më pas në sipërfaqet bujqësore përreth, duke përfshirë dhjetëra hektarë tokë, qindra pemë frutore dhe ullinj.
Dy të arrestuarit akuzohen për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Ndërkohë, në fshatin Rreth të Shijakut, policia ka arrestuar edhe shtetasin Sh. D., 44 vjeç, i cili dyshohet se ka ndezur zjarr. Si pasojë e flakëve janë djegur tela të rrjetit elektrik dhe sipërfaqe me bimësi.
Materialet procedurale për të tre personat i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi i rrjetit elektrik”.
Policia apelon qytetarët të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin djegien e mbetjeve bujqësore apo çdo veprim tjetër që mund të shkaktojë zjarre, duke sjellë pasoja të rënda për jetën dhe pronën.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast zjarrvënieje në numrin 112.
Njoftimi i policisë
Dy persona arrestohen pasi shkaktuan zjarrin në fshatin Ishëm, ndërsa një tjetër arrestohet për zjarrvënien në fshatin Rreth, Shijak.
Shërbimet e Policisë, pas marrjes së njoftimeve për dy raste zjarri në territorin e Durrësit, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe shkuan në ndihmë të shërbimeve zjarrfikëse për vënien nën kontroll dhe shuarjen e flakëve.
Në lidhje me zjarrin e rënë në një sipërfaqe toke bujqësore në fshatin Ishëm, nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasit I. R., 48 vjeç, dhe R. J., 59 vjeç, banues në Sukth, Durrës, gjatë kohës që ndodheshin në banesën e shtetasit S. L., në fshatin Ishëm, duke prerë tuba hekuri me gur fresibël, dyshohet se, si pasojë e shkëndijave të krijuara, kanë shkaktuar zjarrin.
Zjarri më pas është përhapur në sipërfaqen bujqësore përreth, duke përfshirë dhjetëra hektarë tokë, qindra pemë frutore dhe ullinj.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve I. R. dhe R. J., për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

