Foto: KALLXO.com
Çfarë moti do të mbretërojë në Kosovë në javën e dytë të shtatorit?
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se moti gjatë javës së ardhshme do të jetë kryesisht i qëndrueshëm, i ngrohtë dhe me shumë intervale me diell, me përjashtim të enjtes kur priten reshje shiu të shoqëruara me shkarkime rrufesh, kryesisht në formë lokale.
Sipas IHMK-së, në ditën e parë të javës, më 07.09.2026, moti do të jetë kryesisht me diell dhe vranësira të pakta.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 8 gradë celsius deri në 11 gradë celsius, ndërsa maksimalet nga 27 gradë celsius deri në 31 gradë celsius.
E marta, sipas IHMK-së, do të karakterizohet kryesisht me mot të ngrohtë dhe me diell.
Temperaturat minimale do të jenë nga 8 gradë celsius deri në 11 gradë celsius, ndërsa maksimalet nga 29 gradë celsius deri në 32 gradë celsius.
Moti i ngrohtë, me periudha të gjata me diell do të vazhdojë edhe të mërkurën.
“Temperaturat minimale do të lëvizin nga 8 gradë celsius deri në 11 gradë celsius, ndërsa maksimalet nga 28 gradë celsius deri në 33 gradë celsius”- thuhet në njoftimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.
Të enjten, moti do të jetë më i ndryshueshëm.
Përveç intervaleve me diell dhe vranësirave, priten reshje shiu, lokalisht të shoqëruara me shkarkime rrufesh.
Sipas Institutit, temperaturat minimale do të lëvizin nga 10 gradë celsius deri në 13 gradë celsius, ndërsa maksimalet nga 27 gradë celsius deri në 31 gradë celsius.
Pas reshjeve të së enjtes, të premten parashihet mot më i freskët, me diell dhe vranësira të ndryshueshme.
“Temperaturat minimale do të lëvizin nga 10 gradë celsius deri në 13 gradë celsius, ndërsa maksimalet nga 25 gradë celsius deri në 30 gradë celsius. Rënia më e theksuar e temperaturave maksimale pritet në zonat malore”- theksohet në njoftim.
Në pjesën më të madhe të periudhës, Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se kushtet biometeorologjike do të jenë kryesisht të favorshme.
Sipas Institutit, temperaturat e larta, sidomos të martën dhe të mërkurën, mund të shkaktojnë ngarkesë të shtuar termike, veçanërisht te personat e ndjeshëm ndaj temperaturave të larta.
Ndërsa të enjten, gjatë zhvillimit të vranësirave konvektive dhe shkarkimeve elektrike, mund të ketë ndjeshmëri më të shtuar meteoropatike.
Të premten, me rënien e temperaturave, kushtet pritet të përmirësohen.
IHMK thekson se kushtet agrometeorologjike do të jenë përgjithësisht të favorshme për zhvillimin dhe pjekjen e kulturave bujqësore, por temperaturat e larta gjatë ditëve të para mund të rrisin avullimin dhe nevojat për ujë, veçanërisht te kulturat që ende kanë kërkesa për ujitje.
“Reshjet e parashikuara të enjten do të jenë të dobishme për lagështinë e tokës, ndërsa në zonat ku shiu shoqërohet me shkarkime rrufesh dhe intensitet më të madh, duhet pasur kujdes nga dëmtimet e mundshme lokale”- thuhet në komunikatë.
Gjithashtu, Instituti thekson se indeksi UV do të jetë i lartë, veçanërisht gjatë orëve të mesditës në ditët me diell.
Me këtë rast, IHMK sugjeron shmangien e ekspozimit të zgjatur në diell gjatë intervalit 11:00–16:00, përdorimin e mbrojtjes nga rrezatimi UV dhe hidratimi i mjaftueshëm.