MAGAZINË /

"S'dal dot në pazar se të gjithë duan të rrinë me mua"/ Iu akordua çmimi i Karrierës, emocionohet Reshat Arbana

I emocionuar përpara publikut, Arbana tha se, pavarësisht mijëra daljeve në skenë gjatë karrierës së tij, emocionet e kësaj mbrëmjeje ishin të papërjetuara më parë.

Shkruar nga Versus

"S'dal dot në pazar se të gjithë duan të

Aktori i njohur i skenës dhe ekranit, Reshat Arbana, në kuadër të 86-vjetorit të lindjes është nderuar me një çmim të veçantë gjatë Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar.

I emocionuar përpara publikut, Arbana tha se, pavarësisht mijëra daljeve në skenë gjatë karrierës së tij, emocionet e kësaj mbrëmjeje ishin të papërjetuara më parë.

“Jam tepër i emocionuar. Kam dalë mijëra herë në skenë, por emocionet që kam ndjerë sonte, nuk i kam ndjerë ndonjëherë. Në këto kohë të çmendura që po jetojmë, ngjarje si kjo e sotmja janë me rëndësi të madhe”, u shpreh ai.

Arbana rrëfeu se kishte menduar se kapitulli i çmimeve dhe dekoratave për të ishte mbyllur, por vlerësimi i marrë në këtë moment të veçantë të jetës së tij e preku thellë.

“S'dal dot në pazar se të gjithë duan të rrinë me mua! Çfarë bëra unë për këto çmime e medalje? Punova shumë. Më është dashur diçka e vogël, siç thoshte Kadri Roshi, që ai e quante dhunti, por unë e quaj talent. Të tjerat ishin punë”, deklaroi aktori.

Ai ia dedikoi çmimin edhe kolegëve që e mbështetën në fillimet e karrierës.

“Me ndihmën e këtyre njerëzve të mrekullueshëm, të këtyre aktorëve të mëdhenj, të vërejtjeve, sugjerimeve, përkrahjes, arrita të bëhesha një aktor që gëzoj respektin e popullit”, tha Arbana.

Në mbrëmjen hapëse u nderuan gjithashtu emra të rëndësishëm të kinematografisë shqiptare, mes tyre Pirro Milkani dhe Xhevdet Ferri, për kontributin e tyre në artin shqiptar. Çmimet për ta u morën nga familjarët, të cilët kujtuan veprën dhe trashëgiminë e tyre.

Në skenë u ngjit edhe aktorja Roza Anagnosti, e cila u vlerësua për kontributin e saj të gjatë artistik. Një pjesë të këtij vlerësimi ajo ia kushtoi bashkëshortit të ndjerë, regjisorit të njohur Dhimitër Anagnosti.

Mbrëmja e parë e festivalit u kthye kështu në një homazh për brezat e artistëve që kanë ndërtuar historinë e kinemasë dhe teatrit shqiptar.

Poll