
Policia e Fierit ka zbardhur dy raste zjarrvënieje në fshatrat Daullas dhe Kreshpan, duke arrestuar në flagrancë një 50-vjeçar dhe duke proceduar penalisht një tjetër.
Në Daullas, shërbimet e Policisë kanë arrestuar pranë vatrës së zjarrit shtetasin A. G., 50 vjeç. Sipas hetimeve, ai kishte ndezur zjarr në tokën e tij për djegien e shkurreve, por flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe janë përhapur në një sipërfaqe të madhe me bimësi.
Ndërkohë, në fshatin Kreshpan është identifikuar pranë një tjetër vatre zjarri shtetasi Q. Y. Ai ka deklaruar se kishte ndezur zjarr për djegien e mbetjeve në tokën e tij, por era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve.
Zjarri ka dalë jashtë kontrollit, duke rrezikuar disa banesa dhe duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi. Për shkak të moshës, Q. Y. është proceduar penalisht.
Materialet procedurale për të dyja rastet i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Policia u bën apel qytetarëve të shmangin djegien e mbetjeve bujqësore dhe pastrimin e tokave përmes zjarrit, pasi flakët mund të përhapen me shpejtësi dhe të rrezikojnë jetën, pronën dhe mjedisin.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast zjarrvënieje në numrin 112.

