
Dy vatra zjarri janë aktivizuar mesditën e sotme në territorin e Kukësit, duke angazhuar forcat zjarrfikëse dhe banorët e zonave përreth.
Vatra e parë është shfaqur në Kodrën e Pecës, në fshatin Përbreg, pak kilometra larg qytetit të Kukësit. Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë në zonë dhe, sipas të dhënave paraprake, kanë arritur ta vënë zjarrin nën kontroll.
Vatra e dytë është evidentuar në fshatin Zapod, në një zonë të thellë malore. Situata paraqitet më problematike për shkak të erës, e cila favorizon përhapjen e flakëve dhe vështirëson ndërhyrjen e forcave në terren.
Në ndihmë të zjarrfikësve kanë dalë edhe banorët e fshatit Zapod, të cilët po kontribuojnë në përpjekjet për izolimin e vatrës dhe frenimin e përhapjes së zjarrit në sipërfaqet përreth.
Forcat zjarrfikëse vijojnë punën në terren për neutralizimin e plotë të vatrës në Zapod, ndërsa situata po monitorohet për të shmangur përhapjen e flakëve./Versus.al

