
Banorët e Levanit në Fier vijojnë të përballen me pasojat e zjarrit të fuqishëm që përfshiu zonën një ditë më parë, ndërsa presin grupet e vlerësimit për të evidentuar dëmet.
Flakët iu afruan banesave dhe bizneseve, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe duke përhapur panik te familjet. Banorët kërkojnë që procesi i verifikimit të nisë sa më shpejt, pasi shumë prej tyre kanë humbur pasuri dhe prodhime bujqësore.
Një i moshuar, i cili qëndron pranë magazinës ku prodhonte koshere për bletët, apelon për ndërhyrjen e autoriteteve dhe dokumentimin e dëmeve.
“Këta thonë kur ka nevojë populli, jemi në gatishmëri… Ejani dhe shikoni gjendjen, bëni procesverbal. Po ullinjtë? U dogjën prapë ullinjtë, ku të vete unë?”, shprehet ai.
Banorët janë informuar se grupi i vlerësimit do të kryejë verifikimet në terren ditën e martë.
Ndërkohë, banorët e zonës kërkojnë që dëmet të evidentohen dhe të vlerësohen sa më shpejt, në mënyrë që familjet e prekura të mund të marrin ndihmën e nevojshme.

