AKTUALITET /

Zjarri në Himarë/ Prefektja e Vlorës: Gjatë natës u rrezikua Potami. Në terren efektivë nga Delvina, Vlora dhe Saranda

Në ndihmë të operacionit ka mbërritur një helikopter, ndërsa pritet edhe ardhja e një helikopteri të dytë.

Shkruar nga Versus

Zjarri në Himarë/ Prefektja e Vlorës: Gjatë natës u

Prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Alushi, ka deklaruar sot për mediat se vijon operacioni për shuarjen e vatrave të zjarrit që përfshinë mbrëmjen e djeshme zonën e Himarës.

Alushi tha se në operacion janë përfshirë forcat e MZSH-së së Himarës, si dhe efektivë të ardhur në ndihmë nga Delvina, Vlora dhe Saranda, së bashku me Forcat e Armatosura.

Sipas saj, situata në orët e para të mëngjesit është përmirësuar dhe aktualisht nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.

Por, gjatë natës, rreziku më i madh është shfaqur në zonën e Potamit, ndërsa aktualisht forcat janë përqendruar në kodrën e Pilurit, ku vijon monitorimi për shkak të rrezikut nga zjarri.

Në ndihmë të operacionit ka mbërritur një helikopter, ndërsa pritet edhe ardhja e një helikopteri të dytë.

"Dje patëm një risk në zonën e Potamit, por nuk ka rrezik për në zonën e banuar. Aktualisht jemi në kodrën e Pilurit dhe operacioni është pozicionuar atje për shkak të rrezikut që ka pasur zona.

Bashkia do të bëjë verifikimet në terren. Kemi pasur 3 shtëpi të banuara dhe 3 të pabanuara, të cilat janë prekur nga zjarri. Sa i përket banorëve të evakuuar, kemi pasur 36 të tillë, jo sepse ka pasur rrezik për banesat e tyre, por si masë parandaluese. Për dëme të tjera, që lidhen me gjënë e gjallë, nuk kemi pasur. Për gjithçka tjetër do të bëhet vlerësimi nga bashkia në terren", tha Alushi.

Prefektja sqaroi se evakuimi nuk është bërë për shkak të një rreziku të drejtpërdrejtë për banesat, por si masë sigurie për banorët.

Nuk janë raportuar dëme në gjënë e gjallë. Ndërkohë, Bashkia Himarë pritet të kryejë verifikimet në terren për të përcaktuar dëmet e shkaktuara nga zjarri.

Forcat e angazhuara vijojnë monitorimin në zonën e Pilurit, ndërsa situata mbetet nën kontroll.

Poll