
Detaje të reja janë zbardhur nga hetimi i autoriteteve italiane për vrasjen e 45-vjeçares Lorena Izzeri, e cila humbi jetën pasi ish-partneri i saj, 36-vjeçari Federico Vella, dyshohet se e hodhi nga një urë pranë Firences dhe më pas i dha fund jetës.
Gjatë kontrollit të automjetit të 36-vjeçarit, të lënë të parkuar pranë banesës së Lorenës në lagjen Rifredi të Firences, policia ka gjetur një çantë me lidhëse plastike, gërshërë dhe një çarçaf të madh. Objektet janë sekuestruar dhe po analizohen si pjesë e hetimit.
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, Vella dyshohet se kishte pritur kthimin e ish-partneres nga puna. Hetuesit besojnë se ai ishte fshehur në garazh dhe kishte vendosur shirit ngjitës mbi fotocelulën e derës, në mënyrë që ajo të qëndronte e hapur.
Kur Lorena ka hyrë në garazh me automjetin e saj, 36-vjeçari dyshohet se e ka sulmuar, rrahur dhe lidhur në duar e këmbë, përpara se ta fuste në bagazhin e makinës.
Pavarësisht situatës, 45-vjeçarja ka arritur të gjejë telefonin e saj në çantën që ndodhej në bagazh dhe ka kërkuar ndihmë.
Fillimisht ajo i ka dërguar një mesazh zanor një miku, i cili njoftoi menjëherë policinë. Më pas, Lorena ka telefonuar numrin e emergjencës 112.
Biseda me qendrën e operacioneve ka zgjatur rreth 20 minuta. “Ai më rrëmbeu, dëshiron të më vrasë”, raportohet t’u ketë thënë ajo autoriteteve. Policia arriti të lokalizonte telefonin dhe të përcaktonte vendndodhjen e saj.
Pak më vonë, një drejtues automjeti ka parë Vellën në një urë pranë autostradës A1, në Barberino di Mugello, dhe ka njoftuar policinë.
Forcat e rendit mbërritën në vendngjarje dhe për rreth 40 minuta u përpoqën ta bindnin 36-vjeçarin të mos hidhej nga ura. Megjithatë, ai dyshohet se e hodhi Lorenën nga ura dhe më pas i dha fund jetës.
Gjatë negociatave, Vella i kishte dërguar një mesazh nënës së Lorenës, ku shkruante: “Lorena ka vdekur”.
Më pas ai telefonoi edhe nënën e tij, duke i thënë se kishte vrarë ish-partneren. Gruaja njoftoi menjëherë policinë.
Një tjetër pistë e hetimit lidhet me historinë e marrëdhënies së çiftit. Sipas provave të mbledhura deri tani, Lorena ishte ndarë nga Federico në mesin e gushtit, pasi dyshohet se kishte zbuluar një tradhti.
Pas ndarjes, ai ishte përpjekur të rikthente marrëdhënien, duke e kontaktuar vazhdimisht ish-partneren dhe duke i kërkuar edhe nënës së saj që të ndërhynte për t’i pajtuar.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të rindërtuar me saktësi dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse vrasja ishte planifikuar paraprakisht.

