
Kryeministri Edi Rama ka propozuar një qasje të re për zgjerimin e Bashkimit Europian, duke argumentuar se vendet kandidate duhet të integrohen gradualisht në strukturat europiane, pa pritur anëtarësimin e plotë.
Gjatë Forumit të Cernobbios në Itali, Rama tha se Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor mund të përfshihen hap pas hapi në tregun e përbashkët europian, në universitetet dhe programet e shkëmbimit, si dhe në fusha të tjera të rëndësishme të Bashkimit Europian.
“Integrimi gradual është mënyra e vetme për të na futur brenda dhe për ta nisur nga pjesa reale: tregu i përbashkët, të qenit pjesë e Europës së universiteteve, shkëmbimeve, të të gjithë elementëve shumë të rëndësishëm, para se të mendojmë për pjesën tjetër”, deklaroi Rama.
Kryeministri u shpreh se nuk beson se vendet anëtare do të jenë të gatshme që Shqipëria të anëtarësohet menjëherë me të gjitha të drejtat dhe kompetencat, përfshirë edhe të drejtën e vetos.
“Nuk besoj se 2027-a do të na presë lumturisht me kompetencën tonë të vetos. Nuk besoj se disa kryeqytete do të kenë aftësinë t’i thonë publikut: ‘Do ta marrim Shqipërinë me kompetencën e vetos’”, tha ai.
Rama theksoi se e drejta e vetos nuk është kusht për të qenë pjesë e tryezës europiane.
“Nuk na duhet kompetenca e vetos për t’u ulur rreth tryezës. Imagjinoni të kesh edhe 7 të marrë të tjerë të ulur rreth asaj tryeze. Do të ishte më mirë për Europën dhe për ne”, u shpreh kryeministri./Versus.al

