BOTA /

Korrigjohet harta e botës, OKB miraton rezolutën, SHBA voton kundër. Afrika do të paraqitet me përmasat e saj reale

Edhe pse vendimi nuk është juridikisht detyrues, pritet të ndikojë në mënyrën se si hartat përdoren dhe paraqiten nga institucione të ndryshme në mbarë botën.

Shkruar nga Versus

Korrigjohet harta e botës, OKB miraton rezolutën, SHBA voton

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë që synon ndryshimin e mënyrës se si paraqitet harta e botës, me fokus korrigjimin e deformimeve që krijon projeksioni tradicional Mercator.

Rezoluta “Korrigjo Hartën”, e sponsorizuar nga Togo dhe e mbështetur nga vendet anëtare të Bashkimit Afrikan, mori 164 vota pro. Mes vendeve që e mbështetën ishin Franca dhe Mbretëria e Bashkuar. Shtetet e Bashkuara votuan kundër, ndërsa gjashtë vende abstenuan.

Edhe pse vendimi nuk është juridikisht detyrues, pritet të ndikojë në mënyrën se si hartat përdoren dhe paraqiten nga institucione të ndryshme në mbarë botën.

Në qendër të debatit është projeksioni Mercator, i përdorur gjerësisht që prej shekullit XVI. Ky projeksion deformon përmasat e territoreve, duke i paraqitur zonat pranë poleve shumë më të mëdha se përmasat e tyre reale, ndërsa territoret pranë ekuatorit duken më të vogla.

Një nga shembujt më të njohur është krahasimi mes Afrikës dhe Grenlandës. Në hartën Mercator, Grenlanda mund të duket në përmasa të përafërta me Afrikën, ndërsa në realitet kontinenti afrikan ka një sipërfaqe prej rreth 30.4 milionë kilometra katrorë, kundrejt rreth 2.2 milionë kilometrave katrorë të Grenlandës. Afrika është kështu rreth 14 herë më e madhe.

Korrigjohet harta e botës, OKB miraton rezolutën, SHBA voton

Për këtë arsye është propozuar përdorimi i projeksionit Equal Earth, i krijuar në vitin 2018. Ai ruan më mirë raportet e sipërfaqeve dhe synon të japë një pasqyrim më të saktë të madhësisë së kontinenteve.

Ministri i Jashtëm i Togos, Robert Dussey, deklaroi se “një botë e drejtë fillon me një hartë të drejtë”, duke argumentuar se hartat nuk janë vetëm mjete gjeografike, por ndikojnë edhe në mënyrën se si perceptohen fuqia dhe rëndësia e vendeve.

Franca ka mbështetur gjithashtu ndryshimin. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, deklaroi se vendi i tij do të ndalojë përdorimin e hartës Mercator, duke e konsideruar korrigjimin e deformimeve një hap drejt një paraqitjeje më të saktë të botës.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara votuan kundër rezolutës, duke e cilësuar debatin mbi ndryshimin e hartës si një çështje që largon Asamblenë e Përgjithshme nga problemet kryesore me të cilat duhet të merret.

Në thelb, ndryshimi i projeksionit nuk prek realitetin gjeografik, por mënyrën se si ai paraqitet. Mbështetësit e rezolutës argumentojnë se një hartë më e saktë mund të ndihmojë në krijimin e një perceptimi më realist për përmasat dhe rëndësinë e kontinenteve, veçanërisht të Afrikës.

Poll