Bota Postuar më 4 Shtator 2026, 09:34

Uber shkurton mbi 3 mijë vende pune në mbarë botën - Kompania orienton kursimet drejt robotaksive dhe inovacionit

Nga Edel Strazimiri

Uber shkurton mbi 3 mijë vende pune në mbarë botën -

Uber ka njoftuar shkurtimin e rreth 3,300 vendeve të punës, ose afërsisht 10% të fuqisë së saj punëtore globale, në reduktimin më të madh të stafit që nga periudha e pandemisë.

Kompania synon të thjeshtojë strukturën e saj, duke reduktuar nivelet e menaxhimit, bashkuar ekipe dhe eliminuar role të dyfishta. Sipas kompanisë një organizim më i thjeshtë do të mundësojë vendimmarrje më të shpejtë dhe më shumë fokus te zhvillimi i produkteve.

Uber kishte rreth 34 mijë punonjës në fund të vitit 2025. Kompania tha se numri i pozicioneve drejtuese do të ulet me rreth 20%, ndërsa disa menaxherë do të kalojnë në role të tjera në vend që të largohen.

Kursimet e krijuara nga shkurtimet do të orientohen drejt zgjerimit të bizneseve kryesore dhe investimeve në teknologji, veçanërisht në shërbimet autonome dhe robotaksitë. Uber po përballet në këtë sektor me konkurrencë nga kompani si Waymo dhe Tesla.

Paralelisht, kompania po riorganizon edhe aktivitetin e shpërndarjes, duke bashkuar ekipet që merren me restorantet, shitjen me pakicë dhe dërgesat. Sipas Uber, strukturat e ndara kishin krijuar mbivendosje pune dhe procese më të ngadalta.

Shkurtimet prekin vetëm punonjësit e Uber, jo shoferët dhe korrierët, të cilët përgjithësisht trajtohen si kontraktorë të pavarur.

Ristrukturimi nuk ndalet te stafi. Uber planifikon të përqendrojë një pjesë më të madhe të punonjësve në një numër më të kufizuar zyrash, me Nju Jorkun dhe San Franciskon si qendra kryesore globale.

Shumica e punonjësve që punojnë plotësisht në distancë do të duhet të rikthehen në zyrë. Kompania synon që vetëm rreth 1% e stafit të vazhdojë të punojë tërësisht nga distanca, ndërsa politika hibride prej tre ditësh në zyrë do të zbatohet më rreptësisht.

Në Europë, numri i vendeve të punës që do të preken ende nuk është bërë publik. Uber nuk ka dhënë një ndarje të stafit sipas rajoneve dhe në disa vende europiane procesi do të varet edhe nga konsultimet e kërkuara nga legjislacioni i punës.

Në një tjetër masë, Uber ka njoftuar mbylljen e operacioneve në Nigeri dhe Ugandë, pasi më herët gjatë vitit u tërhoq edhe nga Tanzania.

Pas njoftimit për ristrukturimin, aksionet e kompanisë shënuan rritje në bursë, ndërsa investitorët e kanë parë planin si një përpjekje për të ulur kostot dhe për të financuar fazën e ardhshme të zgjerimit të Uber.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat