Bota Postuar më 4 Shtator 2026, 09:33

SHBA, tarifa deri në 100% për dronët kinezë - Masa synon të frenojë varësinë nga Kina dhe të forcojë prodhimin vendas

Nga Edel Strazimiri

SHBA, tarifa deri në 100% për dronët kinezë - Masa synon

Tarifat e reja amerikane për dronët dhe disa prej komponentëve të tyre kanë hyrë në fuqi, në një përpjekje të Uashingtonit për të kufizuar varësinë nga importet kineze në një industri të dominuar nga kompania DJI.

Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi në gusht urdhrin që përcaktonte tarifat, ndërsa Shtëpia e Bardhë e lidhi masën me shqetësimet për sigurinë kombëtare dhe nevojën për të ndërtuar zinxhirë furnizimi më të qëndrueshëm brenda SHBA-së.

Dronët me peshë ngritjeje mbi 25 kilogramë, si dhe modelet me kamera termike apo stacione dokimi, përballen me tarifë 100%. Për dronët më të vegjël tarifa është 25%.

Ndërkohë, disa komponentë të konsideruar më pak të ndjeshëm do të përfshihen në tarifim në një fazë të dytë, duke nisur nga 9 shkurti i vitit të ardhshëm.

Dronët janë shndërruar në mjete të rëndësishme për luftën, mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e infrastrukturës. Përvoja e luftës në Ukrainë ka treguar rëndësinë e tyre në operacionet moderne.

Zyrtarët amerikanë argumentojnë se varësia nga pajisjet dhe pjesët e prodhuara në Kinë mund të krijojë rreziqe për infrastrukturën ushtarake dhe kritike të SHBA-së, përfshirë ndërprerjet e furnizimit dhe shqetësimet për spiunazh.

Kina e ka kundërshtuar masën, duke i kërkuar Uashingtonit të tërheqë tarifat. Pekini paralajmëroi se ato mund të dëmtojnë zinxhirët globalë të furnizimit dhe konkurrencën në tregun e dronëve.

Kompania kineze DJI, e themeluar në vitin 2006, ka dominuar tregun global të dronëve, duke zënë më shumë se dy të tretat e tij sipas disa studimeve.

Por kompania është prej vitit 2022 në një listë amerikane të firmave kineze të lidhura me ushtrinë, çka ka sjellë kufizime në aksesin ndaj teknologjisë amerikane.

DJI ka kundërshtuar përfshirjen në këtë listë, ndërsa tarifat e reja shënojnë një tjetër hap të Uashingtonit për të kufizuar ndikimin kinez në sektorin strategjik të dronëve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat