Shqipëria Postuar më 3 Shtator 2026, 10:45

Zjarret nuk ndalen, 3 vatra aktive në vend - Situatë problematike në Dajt dhe në disa zona të Dibrës

Nga Edel Strazimiri

Zjarret nuk ndalen, 3 vatra aktive në vend - Situatë problematike

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 27 vatra zjarri, nga të cilat 3 vijojnë të jenë aktive, ndërsa 4 të tjera janë nën monitorim. Tre vatra janë shuar plotësisht.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 292 forca operacionale dhe 26 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur ndërhyrjet me 80 efektivë dhe 3 helikopterë.

Vatrat kryesore janë në qarkun Dibër. Në Vajkal, Bulqizë, zjarri ka përshkuar mbi 18 hektarë dhe vijon ndërhyrja me forcat e MZSH-së, strukturat bashkiake dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura.

Në Lundre, Mat, zjarri vijon në një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore, ndërsa operacioni mbështetet nga 30 efektivë të FA-së.

Ndërkohë, në Mallunxë të Matit, zjarri është riaktivizuar për shkak të erës së fortë dhe është orientuar në drejtim të fshatrave Mallunxë dhe Lis.

Në zonën Dajt–Qafë Priskë, situata vijon të jetë problematike, por aktualisht pa rrezik për zonat e banuara. Operacionet e shuarjes do të vijojnë me mbështetjen e 30 efektivëve të Forcave të Armatosura.

Nën monitorim janë edhe vatrat në Qafën e Lugut–Vithkuq, malin e Qukësit–Prrenjas dhe Iballë–Fushë-Arrëz. Kjo e fundit ndodhet në një terren të vështirë, ku gjatë ditës së djeshme u ndërhy edhe me helikopter të FA-së.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë vendin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.

Forcat dhe mjetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe mjedisit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat