SHBA fundosin një tjetër anije të dyshuar për trafik droge në brigjet e Ekuadorit

Shtetet e Bashkuara kanë fundosur të shtunën një tjetër anije, të dyshuar se ishte e përfshirë në trafikun e drogës, në brigjet e Ekuadorit. Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me autoritetet ekuadoriane, njoftuan forcat e armatosura amerikane.

Komanda Jugore e SHBA-së (Southcom) bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social X se pasi anija kryesore u sigurua dhe ekuipazhi zbriti prej saj, forcat amerikane e fundosën atë së bashku me anijet mbështetëse që ishin të lidhura me të.

Sipas Southcom, anija vepronte në mbështetje të organizatës kriminale të cilësuar si “Los Choneros”, një grup i armatosur dhe i lidhur me trafikun e drogës në Ekuador.

Nga ana tjetër, Marina e Ekuadorit njoftoi se mori në bord 26 anëtarë të ekuipazhit të anijes “Maria Candelaria”. Ata po transportohen drejt portit të Mantës, në jugperëndim të vendit.

Në të njëjtin port, ekuipazhet e dy anijeve të tjera të fundosura nga Shtetet e Bashkuara gjatë ditëve të fundit u dërguan në një komisariat policie pas mbërritjes të premten. Të shtunën, një gjykatës urdhëroi lirimin e tyre pa ngritur akuza.

Peshkatarët kanë kundërshtuar operacionet amerikane, duke pretenduar se po trajtohen si të dyshuar për krime vetëm për shkak të aktivitetit të tyre në det.

Me fundosjen e fundit, numri i anijeve me flamur ekuadorian të shkatërruara nga forcat amerikane gjatë ditëve të fundit shkon në katër. Ekuipazhet e të gjitha këtyre anijeve kanë mohuar çdo përfshirje në trafikun e drogës.
/panorama

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne