KONVERTIMI ME DHUNË NË ORTODOKS I SHQIPTARËVE KATOLIK TË GJAKOVËS (1913)

Behar Kaceli

 

Një shkresë diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë (Arkivi Historik Diplomatik), dt. 11 maj 1913, nisur nga Shkupi (Uskub). (A.Q.SH. F. 1501/2, D. 84). Flet për hetimet diplomatike në Gjakovë (1913) si dhe roli i diplomatëve italianë e austro-hungarezë në zbardhjen e krimeve serbo-malazeze dhe konvertimit të dhunshëm të shqiptarëve të Rrafshit të Dugagjinit.

Dokumenti dëshmon se përfaqësuesi diplomatik italian në Shkup i përcjell Ministrit të Punëve të Jashtme në Romë dy raporte zyrtare të hartuara nga Zëvendëskonsulli Mbretëror i Italisë në Prizren, Kavalieri Luketi (Cav. Luchetti), pas mbarimit të misionit të tij në Gjakovë.

Njëri flet për vrasjen e Atë Luigj Paliqit dhe paraqet punimet e komisionit të përzier diplomatik lidhur me rrethanat e vrajes së fratit françeskan shqiptar nga forcat ushtarake malazeze.

Tjetri flet për konvertimin e dhunshëm dhe hetimet mbi fushatën e dhunshme të asimilimit dhe kthimit me forcë në fen ortodokse të popullsisë shqiptare (katolikë e myslimanë) në trevën e Gjakovës.

Shkresa vë në dukje se diplomacia italiane arriti të vendoste përfaqësuesin e saj (Cav. Luchetti) në kushte të plota barazie me konsullin austro-hungarez gjatë procesit të hetimeve dhe redaktimit të protokolleve zyrtare. Dokumenti reflekton edhe një konkurencë ndërmjet Romës e Vjenës, për të mos lënë hapësirë teke diplomatike për ndikim të vetëm nga Austro-Hungaria (e cila mbante zyrtarisht Kultusprotektorat-in mbi katolikët), duke garantuar prezencë direkte italiane në terren për dokumentimin e krimeve ndaj shqiptarëve.
————————————————-

Historitë e konvertimit me dhunë të shqiptarëve në ortodoksinë sllave, si të myslimanëve ashtu edhe të katolikëve janë të dokumentuara gjerësisht në historiografinë shqiptare dhe atë ndërkombëtare, pasi lidhen me krimet e luftës dhe mbrojtjen e popullsisë shqiptare gjatë pushtimit serbo-malazez në Luftën e Parë Ballkanike (1912–1913). Ajo që e ndërkombëtarizoi procesin e konvertimit të katolikëve të Gjakovës ishtë vrasja e Atë Luigj Paliqit (1877–1913).

Atë Luigj Paliqi (Palić) ishte një frat françeskan, i lindur në Janjevë. Ai shërbente si famullitar në Gjakovë dhe rrethina. Në mars të vitit 1913, gjatë operacioneve të ushtrisë malazeze në Gjakovë, Atë Paliqi u arrestua nga autoritetet ushtarake malazeze sepse kundërshtoi hapur konvertimin e dhunshëm të shqiptarëve katolikë e myslimanë në fenë ortodokse dhe mbrojti të drejtat e popullsisë vendase.
Më 7 mars 1913, pranë fshatit Janiq, ai u torturua tejet egërsisht, u zhvesh nga rrobat e fretërve dhe u vra me bajoneta nga ushtarët malazezë sepse refuzoi të ndërronte fenë dhe të hiqte dorë nga kombësia e tij.

Kthimi i dhunshëm i fesë në Gjakovë (1912–1913)

Pas pushtimit të Kosovës në vjeshtën e vitit 1912 nga trupat serbe dhe malazeze, në zonën e Gjakovës e Pejës (nën kontrollin malazez) u zbatua një politikë e ashpër e tjetërsimit kombëtar e fetar. Me urdhër të gjeneralit malazez Janko Vukotiq dhe nën drejtimin e priftërinjve ortodoksë sllavë, mijëra shqiptarëve (si katolikë ashtu edhe myslimanë) u u dha ultimatumi: të konvertoheshin në fenë ortodokse serbe/malazeze ose të përballeshin me ekzekutim, djegie shtëpish dhe dëbim.
Ndërhyrja e Fuqive të Mëdha (veçanërisht Austro-Hungarisë dhe Italisë) erdhi pas raportimeve të alarmuara nga klerikët dhe konsujt në terren. Hetimi i komisionit të përizier (që përmendet në dokument) u bë pikërisht për të provuar dhunën e shtetit malazez. Për shkak të këtij presioni diplomatik ndërkombëtar, ushtria malazeze u detyrua më vonë të lejonte popullsinë e konvertuar me forcë t’i kthehej lirisht fesë së tyre origjinale.


NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne