IKRE
Debati fetar në Kosovë, në mullirin e kujt po e çon ujin?
Ka vite që debati mbi fenë në Kosovë ka marrë një kthesë shqetësuese. Nga debati i mirëfilltë kemi kaluar në përçmim, linçim, etiketime dhe mbi të gjitha, në një klimë që ushqen përçarjen dhe mosdurimin mes njerëzve.
Mediat duan të flasin për shaminë në Kosovë, në një kohë kur gra me shami ke më pak në Kosovë se Francë e Angli.
Duan të flasin për shaminë në shkolla, në një kohë kur Kosova tashmë e ka ndaluar mbajtjen e saj në shkolla.
Nonsens!
Duan të debatojnë për gjithça që lidhet me fenë, sikur shoqëria jonë të mos kishte tema të tjera më të rëndësishme për të diskutuar.
Për vite me radhë, debate dhe programe të një niveli të ulët, shpeshherë deri në kufijtë e rrugaçërisë, i kanë hapur rrugë çdo injoranti që të marrë mikrofonin dhe të flasë për tema kaq delikate. Tema që dje ishin të ndjeshme, ndërsa sot janë bërë edhe më të rrezikshme për kohezionin e shoqërisë.
Një debat, qoftë fetar apo politik, që përfundon me përçarjen e popullatës dhe nxitjen e mosdurimit mes njerëzve, në fund të fundit, i shërben vetëm atij që ka interes ta shohë këtë shoqëri të ndarë dhe të dobësuar.
Dhe këtu të gjith aktorët, qofshin gazetarë, politikan hoxhallarë e priftërinjë, me ose pavetëdije po e bëjnë punen e djallit.
Mediat dhe gazetarët, disa me vetëdije e disa pa vetëdije, e ndonjëherë edhe të nxitur nga interesa të tyre, po e çojnë ujin në mullirin e hasmit.
Nga një rast i izoluar përpiqen të bëjnë lajmin e ditës, pa u ndalur të mendojnë për pasojat që mund të ketë në shoqëri.
Në anën tjetër ka njerëz që vuajnë për pak audiencë. Njerëz të dështuar që nuk kanë arritur asgjë në jetën e tyre. Shumica prej tyre mbështillen me flamuj fetarë ose kombëtarë, por në të vërtetë janë vetëm bërllogu i një kombi, i cili ka nevojë për dije, kulturë dhe urtësi.
Kur mikrofonin ia jep gomarit, mos prit të dëgjosh melodinë e bilbilit. Sot, në shoqërinë tonë shpesh dëgjohet piskama e gomarit, sepse bilbili ka kohë që është larguar nga skena.
Ku janë emisionet me artistë?
Ku janë emisionet me poetë të rinj?
Ku janë kuizet e diturisë?
Ku janë programet që flasin për shkencën, mjekësinë, arsimin dhe kulturën?
Ku është debati që na bën më të ditur, më të qytetëruar dhe më të bashkuar?
Por jo. Mediat tona shpesh nuk kanë kohë të merren me këto, sepse duket se publiku është mësuar me një tjetër lloj spektakli: të debatojë për fenë, të shajë njëri-tjetrin, të përçmojë tjetrin dhe të krijojë armiq aty ku nuk duhet të ketë armiq.
Dhe kështu, në vend që media të jetë dritare e dijes, ajo rrezikon të bëhet pasqyrë e përçarjes.
Një shoqëri nuk ndërtohet duke ia ngritur zërin injorancës, por duke ia dhënë mikrofonin dijes./fb
i.a.

















