Boshnjakët u japin leksion shqiptarëve: Kur preken interesat kombëtare, nuk mjafton të ankohesh – duhet të veprosh!

Fejzi HAJDARI

Nëse VLEN-i dhe BDI-ja nuk dinë si të reagojnë për glorifikimin e Ratko Mlladiqit, atëherë le të mësojnë nga zonja Mersiha Smailoviç dhe nga boshnjakët e Maqedonisë së Veriut se si mbrohet dinjiteti i viktimave dhe si kërkohet përgjegjësi nga një zyrtar publik.

Ajo që po ndodh, është më shumë se një status në Facebook. Bëhet fjalë për glorifikimin e një personi të dënuar nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocid dhe krime lufte. Dhe përballë një akti të tillë, heshtja e atyre që janë në pushtet, nuk mund të fshihet pas deklaratave boshe.

Mersiha Smailoviç e tha qartë: „Në Facebook dënon, në Qeveri hesht!“

Tre ditë pas reagimit të VLEN-it, u mbajt seancë e Qeverisë dhe, sipas Smailoviçit, ministrat e kësaj koalicioni nuk kërkuan shkarkimin e drejtorit Dalibor Kitanoviq.
Kjo është pikërisht ajo që duhet t’u kërkohet llogari politikanëve të VLEN-it: Çfarë vlere kanë statuset, deklaratat dhe dënimet publike, nëse kur vjen momenti për të vepruar institucionalisht – heshtet?

Politika nuk bëhet me statuse. Politika bëhet me vendime.

Dhe këtu VLEN-i është në pushtet. Nuk është më opozitë që mund të kritikojë nga Facebook-u. Ka ministra, ka përgjegjësi dhe ka mundësi për të marrë vendime.
Por edhe BDI-ja nuk mund të bëjë sikur kjo çështje nuk e prek. Pas kaq shumë vitesh në pushtet dhe pas gjithë retorikës për përfaqësimin dhe mbrojtjen e shqiptarëve e të komuniteteve, qytetarët kanë të drejtë të pyesin: Ku është zëri i BDI-së kur glorifikohet një kriminel lufte dhe kur preket drejtpërdrejt dinjiteti i një komuniteti që ka përjetuar luftën dhe pasojat e saj?

Ndërkohë, Lidhja Demokratike Boshnjake (BDS) nuk priti statuse, konferenca dhe deklarata politike. Ata paraqitën kallëzim penal kundër Kitanoviqit, duke kërkuar përgjegjësi institucionale për veprimin e tij publik.

Ky është dallimi mes indinjatës për kamerat dhe reagimit me përgjegjësi.

Nëse VLEN-i vërtet beson në atë që deklaron, atëherë le ta dëshmojë me veprim. Nëse e dënon glorifikimin e kriminelëve të luftës, le të mos mjaftohet me Facebook-un. Le të kërkojë përgjegjësi dhe të veprojë aty ku duhet – në Qeveri.

E nëse BDI-ja mendon se kjo çështje nuk ka lidhje me të, atëherë le t’u përgjigjet qytetarëve pse hesht. Është shumë e lehtë të jesh trim në Facebook. Vështirë është të jesh i guximshëm kur duhet të marrësh një vendim. Dhe këtë herë, boshnjakët ua treguan politikanëve se si bëhet.

Të fundit