KU’fest mbyll siparin: Ndahen çmimet për më të mirët e edicionit të III-të

Edicioni i tretë i Festivalit Ballkanik të Teatrit “KU’fest” në Kumanovë sonte në natën përmbyllëse ka shpallur fituesit e tij në një mbrëmje gala, duke nderuar talentet e jashtëzakonshme që shkëlqyen në skenë gjatë ditëve të festivalit, përcjell INA.

Juria vlerësoi performanca të fuqishme dhe regji inovative, duke konfirmuar edhe një herë nivelin e lartë artistik të këtij viti.

Shkëlqim Islami u shpall Aktori më i mirë i festivalit, duke fituar Çmimin “Sefedin Nuredini” për rolin e tij në shfaqjen “Rinoqerontët” të Teatrit Shqiptar të Shkupit.

Në kategoritë e tjera kryesore, çmimet u ndanë si më poshtë:

Çmimi për regjinë më të mirë: Erson Zymberi për shfaqjen “Nëna” (Teatri i Gjilanit).

Aktorja më e mirë në rol kryesor: Aurita Agushi për rolin e saj në shfaqjen “Nëna” (Teatri i Gjilanit).

Aktori më i mirë në rol kryesor: Miroslav Petkovic për rolin e tij në shfaqjen “Xhaxhi Tufa” (Teatri i Kumanovës, drama maqedone).

Aktorja më e mirë në rol dytësor: Gentiana Ramadani për rolin në shfaqjen “Rinoqerontët” (Teatri Shqiptar, Shkup).

Aktori më i mirë në rol dytësor: Valon Nuhiu për rolin në shfaqjen “I vetëm në perëndim” (Teatri i qytetit, Preshevë).

Çmimi kryesor për shfaqjen më të mirë i takoi shfaqjes “Nëna”, prodhim i Teatrit të Gjilanit.

Çmimet u ndanë nga figura të rëndësishme të vendit, në një mbrëmje të shoqëruar me emocione dhe duartrokitje. Me duartrokitje u përcoll edhe juria e festivalit, e përbërë nga Leunora Kaliqi, kryeredaktore e TVM2, Zijadin Murtezi, aktor, dhe Robert Ristov, regjisor.

Festivali “KU’fest” për 5 netë nga 1-5 shtator dëshmoi edhe këtë vit se teatri është një gjuhë universale që bashkon kulturat, duke lënë mbresa të thella tek artdashësit e Kumanovës dhe më gjerë. Urime të gjithë fituesve!(INA)

Të fundit