Saranda mirëpret për të pestën herë zhvillimin e garës mbresëlënëse të notit, Presidenti FSHN Agim Çiraku: Uroj garë, rivalitet dhe emocion në Maratonën sarandiote

MARATONA “IDRIZ MUÇO” / Saranda mirëpret për të pestën herë zhvillimin e garës mbresëlënëse të notit, i pranishëm do të jetë edhe Presidenti FSHN-së

Agron KAJA

Sigal

Të dielën e 6 shtatorit 2026 në mesditë, do të zhvillohet gara e Maratonës “Idriz Muço”, një prej emrave të mëdhenj në Notin shqiptar. Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku, tregon për gazetën “Telegraf” se do të garohet në bregun e detit dhe vetë ai do të jetë i pranishëm, pasi nuk ka munguar asnjëherë në këtë Maratonë. “Nuk mund të ndodhë ndryshe edhe këtë herë, pasi do jem i pranishëm jo vetëm si President i FSHN-së, por edhe si një ish-notar dhe ushtrues i sportit të notit në çdo stinë të vitit. Si në çdo vit, edhe ky 6 shtator do të jetë i bukur në Sarandë, pasi zhvillohet Maratona që mban emrin e të Madhit “Idriz Muço”, vlerë e notit tonë”, kështu e nisi dje bisedën Njëshi i FSHN-së, Agim Çiraku, i cili tregoi se bukuria e kësaj qëndron jo vetëm në organizimin e zhvillimin e saj ku gërshetohen në garë brezat e notit shqiptar, por edhe në përjetimin që i bëjnë qytetarët sarandiotë dhe jo vetëm, këtij eventi. “Në Maratonën “Idriz Muço” është bukur kur gërshetohen brezat në një garë. Kjo do të ndodhë edhe në këtë të dielë, ku them se do të shohim garë, rivalitet dhe emocion. Prania e qytetarëve që në këtë stinë nuk janë larguar nga Saranda, do t’ja shtojnë hijeshinë gjithë veprimtarisë”. Në shtatorin e vitit të kaluar ata që garuan ishin djem dhe vajza, burra dhe gra nga të gjitha moshat. “Unë i falenderova të gjithë për pjesëmarrjen në shtatorin e kaluar, të gjithë ata shikues që e bënë edhe më të këndshme atë Maratonë, por edhe Shoqatën Kombëtare të Veteranëve të Notit për bukurinë që i dha kësaj veprimtarie”, kështu e vlerëson Presidenti FSHN-së Agim Çiraku këtë prag të  Maratonës “Idriz Muço”, e cila do zhvillohet të dielën e 6 shtatorit në bregun e detit në Sarandë. Para kësaj gare, zoti Çiraku ka edhe një “merak”, jo vetëm si president i FSHN-së, por edhe si vizionar i këtyre veprimtarive. “Do kërkoja që kjo traditë si këtu në Sarandë dhe në Pogradec, të zgjerohet edhe në qytete të tjera bregdetare e liqenore, që notin e kanë në traditën e tyre. Maratonat i japin hijeshi dhe kënaqësi jo vetëm atyre që garojnë, ndaj tradita me këto gara duhet të mbahet gjallë, si një pishtar”.

Në vitin e kaluar, 2025

GARUES

Në Maratonën e Sarandës “Idriz Muço 2025”, ishin rreth 80 garues, Meshkuj dhe Femra që i përshkruan distancat e notimit sipas kategorive të moshave përkatëse.

FËMIJË

Pjesëmarrja e fëmijëve në garën e Maratonës “Idriz Muço” në Sarandë është bërë traditë. Vitin e kaluar pjesëmarrja e tyre ishte e lartë, kryesisht me sarandiotë.

VETERANË

Në Maratonën “Idriz Muço 2025” nuk mungoi pjesëmarrja e veteranëve, nga Tirana, Shkodra, Durrësi, Lushnja. Lezha, Elbasani, Durrësi, Vlora e Saranda.

Parashikimi i Presidentit: Do zhvillohet Maratonë të bukur!

Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku, na ftoi për ta ndjekur këtë event, me parashikimin e tij se do të jetë një Maratonë e bukur. Nisur nga katër sezonet e zhvilluara, Maratona ka sjellë emocion para, gjatë dhe pas zhvillimit të saj. Në vitin e kaluar ajo nisi një ditë më parë me takimet e ish-notarëve e notareve të ardhur nga e gjithë Shqipëria në Sarandë, me organizimin dhe programin e saj, edhe nën mbështetjen e fëmijëve të Mjeshtrit Idriz Muço, Elseidi dhe Adela.

FITUESITE MARATONËS

“IDRIZ MUÇO 2025”

Kategoria deri 14 vjeç-1 km

FEMRA

1.Viki Tafruku      Vllaznia

MESHKUJ

1.Devi Shtaro        Teuta

Kategoria të Rinj-Rritur 1km

FEMRA

1.Viki Tafruku      Vllaznia

MESHKUJ

  1. Ediliano Huna Teuta

Veteranët garues

FEMRA-Distanca 1 km

2.Adelajda Delimeta Elbasani

MESHKUJ-Distanca 2 km

1.Andi Kongoli     Elbasani

Veteranët e tjerë

Garuan në 100 deri në 800 m

Elbasani “hipotekoi” fituesit e veteranëve në vitin 2025

Në garën e Maratonës “Idriz Muço” që u zhvillua në Sarandë vitin e kaluar, u veçua një fakt domethënës, i cili lidhet me garuesit e Elbasanit. Andi Kongoli edhe vitin e kaluar bëri detyrën e pasionit të tij duke e fituar në kategorinë Veteranë. Edhe për Femrat e kësaj kategorie, vitin e kaluar Maratona në Sarandë u fitua nga elbasanasja Adelajda Delimeta, duke arritur sukses i dyfishtë “elbasanlli”. Presim këtë të dielë që këto suksese të jenë të pranishme në Sarandë.

GARUESIT NË MOSHAT EKSTREME

83 vjeçari Sulejman Poda, Mjeshtër i Madh, miku i maratonave të notit

Është shumë mbresëlënëse që në garat e Maratonës në Sarandë ta shohësh në garë çdo vit 84 vjeçarin tiranas, Mjeshtrin e Madh Sulejman Poda. Ai është kthyer në mikun e të gjitha maratonave të notit që janë zhvilluar e zhvillohen në Shqipëri, dhe më shumë se sa koha e përshkrimit të distancave, për këtë “Mjeshtër” të ujit,  rëndësi ka pjesëmarrja në garë, e cila do ti japë hijeshi garës së Sarandës. Në vitin e kaluar, 84 vjeçari Poda meritoi Kupën si garuesi më i vjetër në moshë. “Do jem patjetër në Sarandë. Nuk mund të ndahem nga pasioni, mosha nuk më pengon. Së bashku me Mjeshtrin e Madh Sadik Mema, do respektojmë veprimtarinë dhe gjithë ata që kanë shkruajtur historinë e Notit shqiptar, por edhe të rinjtë e qytetarët sarandiotë”.

Familjarët e të Madhit Idriz Muço, e zbukurojnë Maratonën

Në vitin e kaluar, në ditën e zhvillimit të Maratonës “Idriz Muço 2025”, djalin e Idrizit, Elsidin, e dalloje qartazi në emocionet e tij. Duke qënë krah organizatorëve, të cilët i falenderoi për këtë veprimtari, ai u shpreh se i ka bërë krenarë të gjithë në familjen “Muço”. “Kjo veprimtari që i kushtohet babait tim është mirënjohje dhe respekt për gjithçka ai i dha sportit të Notit në Sarandë, dhe në gjithë Shqipërinë. Ndjehem krenar për këtë respekt dhe do mbështesim organizatorët, Shoqatën e Veteranëve të Notit, Presidentin e Federatës Agim Çiraku, si dhe Bashkinë e Sarandës në këtë veprimtari. Po kthehet në traditë që na jep detyrimin moral të jemi bashkëpunues për këtë event”, kështu vjen sot në këtë prag të Maratonës, djali i të Madhit Idriz Muço. Këtë të dielë të 7 shtatorit 2026, presim të risjellë të tjera emocione dhe ta zbukurojë Maratonën.

Mjeshtri i Madh Sadik Mema: Saranda mikëpritëse e traditës

“Në vitin e kaluar jam shprehur se e kemi kokën pas për shtatorin tjetër, sot 2026. Që do të thotë se, edhe këtë të dielë do të kemi emocione, mbresa, kujtime dhe garë. E veçanta tjetër është se, gërshetimi i brezave të notarëve, do sjellë emocione të cilat e mbajnë të “gjallë” historinë e notit në vëndin tonë”, kështu e nisi dje bisedën Mjeshtri i Madh Sadik Mema. Në 7 shtatorin e vitit të kaluar, 2025, Saranda gumëzhiu në bregun dhe valët e Detit Jon. Ishin maratonistët e kësaj gare të përvitshme me emrin e të Madhit “Idriz Muço”, e cila afron çdo vit notarë dhe notare sarandiotë, por edhe nga qytete te tjera të Shqipërisë, midis tyre edhe shumë veteranë të këtij sporti, Mjeshtra e Mjeshtra të Mëdhenj. Të gjithë i japin bukurinë dhe hijeshinë kësaj gare, të cilën Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Veteranëve të Notit shqiptar, Mjeshtri i Madh, Sadik Mema, e kujton me nostalgji. “Saranda është shumë mikpritëse, jo vetëm kur bëhet fjalë për notin, që në këtë qytet ka patur kampionë e mjeshtra të mëdhenj. Në vitin e kaluar ishte shumë e veçantë pjesëmarrja e qytetarëve dhe e pushuesve të shumtë, të cilët i dhanë një bukuri festive kësaj veprimtarie. Garuesit ishin nga Tirana, nga Shkodra, nga Vlora, nga Durrësi, Lezha, Lushnja, Elbasani e nga Saranda, e cila si mikëpritëse kishte edhe shumë fëmijë në garë”, kështu e kujton Mjeshtri i Madh, Sadik Mema, i cili më pas tregoi edhe për ecurinë e kësaj maratone. “Në shtatorin e kaluar, Maratona “Idriz Muço” shkoi shumë mirë. Deti ishte i qetë si një pishinë në natyrë, por edhe moti sikur i dha ndriçimin gjithçkaje. Skafet u bënë të bezdisur gjatë garës, por nuk e ndalën “marrshimin” e gjithë garuesve, që iu afruan numrit 80 në garë (më shumë se 45 fëmijë dhe 35 veteranë)”. Ndërkohë, për Maratonën e ditës së dielë,Sadik Mema e pret të jetë sikundër edhe vitin e kaluar. “Tradita në Sarandë vazhdon, në respekt të ish-notarit Idriz Muço”.

Hijeshi dhe emocione do të ofrojë Saranda ditën e dielë në ora 10:00, si një mbyllje të verës 2026 në bregun e Jonit. Maratona e Sarandë me emrin “Idriz Muço” do zhvillohet për herë të pestë, traditë e cila mendohet të zgjerohet edhe në qytete të tjera liqenore dhe bregdetare

Mikpritje, garë maratone, fitues dhe spektakël

Ditën e dielë, qyteti i Sarandës do të zgjohet ndryshe nga ditët e tjera të nxehta të këtij shtatori 2026. Dhe ky zgjim do nisë nga bregu i detit, aty ku janë gati  përgatitjet për zhvillimin e Maratonës “Idriz Muço 2026”. Qytetarët sarandiotë, pushues vendas dhe të huaj, do ta shpërngulin ritmikën e tyre ditore atje ku FSHN-ja, Bashkia e Sarandës dhe Shoqata e Veteranëve Shqiptarë të Notit, kanë bërë gati kronometrat, vijëzimet në rërë dhe shoqëruesit në mjetet e tyre në det. Të gjithë garuesit do të ndjehen të rivalizuar me valët e detit dhe me njëri-tjetrin. Gjithçka e bukur dhe me emocion, ku që nga moshat e vogla dhe deri tek veteranët e këtij sporti të bukur, do të stampohet në bregun e Jonit. Të gjithë do të notojnë në det, do të notojnë në mbresa dhe kujtime, dhe së bashku me gjithë të tjerët do të gërshetojnë të kaluarën me të tashmen, pasionin me respektin. Edhe këtë shtator, familja e Idriz Muços do ta zbukurojë këtë veprimtari mirëseardhje për pjesëmarrësit dhe trajnerët. Saranda e dhuron këtë bukuri!

Saranda mbylli stinën e verës 2026

Me Maratonën e notit “Idriz Muço 2026”, sporti i Notit në Shqipëri mbyll zyrtarisht veprimtaritë verore në pishinat 50 m dhe në det të hapur. Pas Sarandës, të gjithë notarët e trajnerët e tyre do të përgatiten për garat dimërore që zhvillohen në pishinën 25 m të Resortit “Te Stela” në Tiranë. Ato janë Kupa “Pavarësia” dhe Kupa “Klavio Meça”, të dyja në pishinën 25 m “Te Stela” në Tiranë.