Ing. Nako Petro: TEC-et lundruese në Vlorë, abuzim makabër, mirëmbajtja kushton më shumë se prodhimi

– Kontrata dyvjeçare e qirasë është vlerësuar rreth 68 milionë euro, ndërsa vetëm qiraja dhe mirëmbajtja kanë kushtuar rreth 94 mijë dollarë në ditë

– KESH ka hapur tani një procedurë të re prokurimi me fond limit 1.892 miliardë lekë, ose rreth 20.2 milionë euro, vetëm për operimin dhe mirëmbajtjen e asetit gjenerues

Sigal

– Në të njëjtin qytet ndodhet TEC-i i Vlorës në tokë, një investim publik prej rreth 130 milionë eurosh, i cili prej vitesh vazhdon të mbetet jashtë funksionit.

Nako Petro-ish Drejtor i UPTHNB

Në vitin 2022, në kulmin e krizës energjetike europiane, qeveria shqiptare vendosi të merrte me qira dy termocentrale lundruese, të njohura si “Tigrat”, me argumentin se vendi kishte nevojë për një burim emergjent të prodhimit të energjisë. Vendimi u paraqit si një zgjidhje e shpejtë për një situatë të jashtëzakonshme. Katër vjet më vonë, pyetja është e thjeshtë, çfarë përfitoi Shqipëria nga ky operacion? Përgjigjja nuk është inkurajuese, TEC-et kanë prodhuar shumë pak ose aspak energji elektrike, ndërsa faturat për buxhetin e shtetit kanë vazhduar të shtohen. Sipas informacioneve të publikuara, kontrata dyvjeçare e qirasë është vlerësuar rreth 68 milionë euro, ndërsa vetëm qiraja dhe mirëmbajtja kanë kushtuar rreth 94 mijë dollarë në ditë, pa përfshirë lenden djegse dhe shpenzime të tjera operative. Por historia nuk mbaron këtu, KESH ka hapur tani një procedurë të re prokurimi me fond limit 1.892 miliardë lekë, ose rreth 20.2 milionë euro, vetëm për operimin dhe mirëmbajtjen e asetit gjenerues termik në Vlorë. Nuk bëhet fjalë për ndërtimin e një centrali të ri apo rritjen e kapaciteteve prodhuese, por për mirëmbajtjen e një infrastrukture që nuk ka justifikuar ende investimin e bërë. Nëse kësaj shume i shtohen pagesat e qirasë, kostot e sigurimit, depozitimit të karburantit, trajtimit të mbetjeve hidrokarbure, personelit dhe shërbimeve të tjera të lidhura me TEC-et lundruese, rezulton se barra financiare mbi taksapaguesit shqiptarë është bërë shumë e rëndë. Edhe vetëm kontratat për depozitimin dhe ngarkim-shkarkimin e lëndës djegëse janë vlerësuar në miliona euro. Paradoksi bëhet edhe më i madh kur kujtojmë se në të njëjtin qytet ndodhet TEC-i i Vlorës në tokë, një investim publik prej rreth 130 milionë eurosh, i cili prej vitesh vazhdon të mbetet jashtë funksionit. Shqipëria ka përfunduar në situatën absurde ku paguan për të konservuar një central në tokë dhe njëkohësisht shpenzon dhjetëra milionë euro për centrale lundruese që nuk kanë dhënë rezultatet e premtuara. Kjo nuk është më vetëm një çështje teknike, eshtë një provë e mënyrës se si menaxhohen fondet publike. Çdo euro që shkon për një projekt joefektiv është një euro më pak për pensionet, arsimin, shëndetësinë, rrugët apo investimet në energjinë e rinovueshme. Në një kohë kur qytetarëve u kërkohet të paguajnë më shumë taksa dhe bizneset përballen me kosto të larta, shteti duhet të japë llogari për çdo milion euro të shpenzuar. Kjo çështje kërkon transparencë të plotë, sa energji kanë prodhuar realisht TEC-et, sa është fatura totale që ka paguar deri tani buxheti i shtetit, cili është plani për të ardhmen e tyre? A do të vazhdojnë të paguhen kontrata të reja mirëmbajtjeje, apo do të merret një vendim përfundimtar mbi fatin e këtij projekti? Kontrolli i Lartë i Shtetit, Kuvendi dhe organet e drejtësisë kanë detyrimin të analizojnë jo vetëm ligjshmërinë e procedurave, por edhe efektivitetin ekonomik të këtij investimi. Sepse një kontratë mund të jetë formalisht e rregullt dhe megjithatë të rezultojë një barrë e rëndë për financat publike. Historia e “Tigrave” të Vlorës nuk duhet të mbetet vetëm një debat politik, ajo duhet të shërbejë si një mësim për mënyrën se si merren vendime në kohë krize, emergjencat nuk mund të përdoren si justifikim për shpenzime që vazhdojnë edhe pasi emergjenca ka kaluar. Në fund mbetet një pyetje që pret përgjigje, sa miliona euro të tjera do të paguajnë shqiptarët për TEC-et lundruese, përpara se dikush të pranojë se ky projekt duhet rivlerësuar nga themeli?

Shqipëria nuk ka nevojë për parulla të vjetra, por për ide të reja

Protestat janë një shprehje e demokracisë, ato janë të dobishme kur ngrenë probleme reale, kërkojnë llogari dhe ofrojnë alternativa, por kur protesta mbështetet vetëm te parullat, ajo rrezikon të humbasë qëllimin e saj. Ditët e fundit dëgjuam sërish thirrje si “Poshtë komunizmi!” , “Poshtë patronazhistët!” dhe “ Revolucion!”, këto parulla mund të ngjallin emocione, por lind pyetja, a i shërbejnë ato zgjidhjes së problemeve që ka sot Shqipëria? Le të ndalemi te “komunizmi”. Kanë kaluar 36 vjet nga rënia e regjimit komunist. Shqipëria ka ekonomi tregu, pronë private, sistem shumëpartiak, është anëtare e NATO-s dhe synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Kjo nuk do të thotë se demokracia shqiptare është e përsosur, por do të thotë se sistemi komunist nuk ekziston më si rend politik dhe ekonomik. Nëse sot ka probleme me funksionimin e institucioneve, me korrupsionin, me përqendrimin e pushtetit apo me administratën, ato duhet të emërtohen me emrin e tyre, etiketa “komunizëm” nuk i shpjegon këto fenomene dhe as nuk ofron zgjidhje për to. Po aq interesant është debati për “patronazhistët”, cdo parti politike në një demokraci ka anëtarë, aktivistë, organizatorë dhe mbështetës, kjo është pjesë normale e jetës politike. Çështja që ngrihet në debat nuk është ekzistenca e aktivistëve, por nëse përdoren burime publike, të dhëna personale ose presion ndaj qytetarëve në mënyrë të papërshtatshme, pikërisht kjo është tema që meriton diskutim, jo vetë fakti që partitë organizohen. Shqipëria nuk ka nevojë për luftë kundër fantazmave të së kaluarës. Ka nevojë për përballje me problemet e së tashmes. a po prodhon më shumë ekonomia shqiptare, a po rriten eksportet, po krijohen vende pune me paga të larta , pse largohen të rinjtë dhe specialistët ? Pse industria përpunuese dhe bujqesia mbetet e dobët. pse pasuritë natyrore nuk po shndërrohen në mirëqenie më të madhe për qytetarët? Këto janë pyetjet që presin përgjigje. Nëse protesta do të kishte në qendër të saj ekonominë, prodhimin, arsimin, pensionet, shëndetësinë dhe drejtësinë sociale, ajo do të fitonte më shumë mbështetje. Nëse qeveria do të përgjigjej me politika konkrete për këto çështje, debati publik do të ishte më i dobishëm. Edhe termi “revolucion” më duket i papërshtatshëm,revolucionet lindin kur shembet një rend politik dhe ndërtohet një tjetër. Shqipëria nuk ka sot një sistem komunist për të rrëzuar, as një monarki për të përmbysur, ajo ka nevojë për reforma të thella, institucione më të forta dhe zhvillim ekonomik.Në kuptimin klasik politik, një revolucion nënkupton një ndryshim rrënjësor të rendit politik, ekonomik ose kushtetues. Shembuj janë Revolucioni Francez, Revolucioni Rus ose revolucione të tjera që përmbysën sistemin ekzistues dhe krijuan një rend të ri. Në Shqipërinë e sotme, ku ekziston një rend kushtetues, zgjedhje periodike dhe mekanizma institucionalë për ndryshimin e pushtetit, përdorimi i termit “revolucion” për një protestë politike mund të duket më shumë si figurë retorike sesa si përshkrim i saktë i objektivit. Në demokraci, pushteti fitohet me votë, program dhe besim qytetar, jo me retorikën e revolucionit. Kur përdoren fjalë kaq të mëdha për probleme që kërkojnë zgjidhje konkrete, rrezikohet që debati të bëhet emocional dhe jo racional. Fatkeqësisht, politika shqiptare vazhdon të ushqehet me emocione, ndërsa ekonomia kërkon zgjidhje. Njëra palë flet për armiq të së kaluarës, pala tjetër për suksese të pandërprera, ndërkohë qytetari pyet diçka shumë më të thjeshtë, si do të jetojë më mirë nesër? Demokracia nuk matet me sa fort bërtet një turmë dhe as me sa gjatë flet një lider , ajo matet me cilësinë e institucioneve, me ekonominë që krijon mundësi dhe me aftësinë për të zgjidhur problemet e qytetarëve. Shqipëria nuk ka nevojë të rikthejë betejat ideologjike të shekullit të kaluar, ka nevojë të fitojë betejën e shekullit XXI, zhvillimin ekonomik, shtetin e së drejtës, arsimin cilësor dhe një ekonomi që prodhon. Vetëm atëherë protestat nuk do të maten nga numri i parullave, por nga fuqia e ideve dhe vetëm atëherë politika do të dalë nga rrethi vicioz i së shkuarës për t’u përballur me sfidat e së ardhmes.