Instagram po ta monton Reels-in vetë, mjaftojnë disa video dh... - Business Magazine Albania

Instagram po ta monton Reels-in vetë, mjaftojnë disa video dhe 10 sekonda

Audio
Dëgjo këtë artikull
0:00

Montimi i një Reel-i mund të jetë pjesa më e lodhshme e procesit: dhjetëra video në galeri, pauza që duhen prerë dhe minuta të tëra për të gjetur pjesët që ia vlen të publikohen. Instagram po përpiqet ta eliminojë pikërisht këtë hap me një funksion të ri që mund të krijojë një version fillestar të videos në vetëm pak sekonda.

Sipas TechCrunch, Instagram ka nisur shpërndarjen e First Draft më 25 gusht. Funksioni merr disa klipe të zgjedhura nga përdoruesi, i shkurton automatikisht, eliminon pauzat dhe bashkon pjesët kryesore në një version të parë të Reels-it. Procesi mund të përfundojë në më pak se 10 sekonda.

Edhe The Verge e përshkruan First Draft si një mënyrë për ta bërë montazhin e Reels më pak të lodhshëm. Mjeti analizon klipet disa-minutëshe dhe krijon një rough cut, duke i dhënë përdoruesit një pikënisje që mund ta modifikojë përpara publikimit.

Lexo edhe: Nga 6,000 dollarë të marra hua te një perandori bukurie prej 1.2 miliardë dollarësh! Historia e Huda Kattan

Funksioni është menduar për situata shumë të zakonshme në Instagram: kur dikush ka regjistruar disa video gjatë ditës, një video ku flet drejtpërdrejt para kamerës apo një format “day in my life”. Në vend që përdoruesi të kontrollojë çdo klip dhe të bëjë prerjet njëra pas tjetrës, Instagram krijon automatikisht strukturën fillestare.

Por First Draft nuk e merr kontrollin e plotë të videos. Ai nuk publikon një Reel përfundimtar pa ndërhyrjen e përdoruesit. Pas krijimit të draftit, përdoruesi mund të ndryshojë klipet, renditjen, ritmin dhe elementet e tjera përpara se ta publikojë.

Një detaj që e bën këtë funksion veçanërisht interesant është se Instagram thotë se First Draft nuk përdor inteligjencë artificiale. Pavarësisht se procesi duket i ngjashëm me disa mjete të reja të montazhit me AI, Instagram e ka ndërtuar këtë funksionalitet mbi teknologjinë e vet të përpunimit automatik të videos. The Verge e veçon pikërisht këtë dallim, duke e krahasuar First Draft me mjete si Quick Cuts të Adobe, të cilat përdorin AI.

First Draft është aktualisht i disponueshëm në iPhone dhe mund të përdoret nga kamera e Instagramit ose nga galeria e Reels pasi të zgjidhen disa klipe.

Lëvizja vjen në një moment kur Meta po përpiqet ta mbajë gjithnjë e më shumë procesin e krijimit të videove brenda ekosistemit të saj. Instagram ka shtuar dhe testuar gjatë këtij viti mjete të tjera për krijuesit, ndërsa aplikacioni i dedikuar për montazh i kompanisë, Edits, po merr veçori të reja për krijimin dhe analizimin e përmbajtjes. TechCrunch raportoi më herët se Meta po përgatiste edhe një asistent me AI për Edits, duke treguar se kompania po investon në drejtime të ndryshme të automatizimit të procesit krijues.

Ndryshimi kryesor me First Draft është thjeshtësia: përdoruesi nuk ka nevojë të mësojë një program montazhi apo të kalojë videon në një aplikacion tjetër. Për krijuesit që duan të publikojnë shpejt, Instagram po përpiqet ta kthejë montazhin nga një proces më vete në një hap të integruar brenda aplikacionit.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #42 – Qershor 2026

DIASPORA, pasuria e re strategjike e Shqipërisë!

Ekziston një paradoks në zemër të historisë ekonomike shqiptare të tridhjetë viteve të fundit. Vendi humbi dhe vazhdon të humbasë një pjesë të konsiderueshme të kapitalit të tij njerëzor që shkon drejt Evropës Perëndimore apo edhe Amerikës së Veriut. Ky proces, i dokumentuar me shifra alarmante është një plagë e hapur sociale e vendit dhe jo vetëm. Çdo vit Shqipëria dhe Kosova humbnin mjekë, inxhinierë, sipërmarrës etj. Fitonin: remitanca.

Por kjo llogaritje gjithmonë ka qenë e paplotë. Dhe tani, me gjeneratën e parë të diasporës shqiptare që ka arritur maturinë profesionale dhe sipërmarrëse, po bëhet e qartë se sa e paplotë ka qenë në të vërtetë.

Krenar Komoni nuk e ndërtoi Tive-n, platformën teknologjike me vlerësim mbi gjysmë miliardi dollarë sepse sistemi e favorizoi. Përkundrazi, ai ia doli duke mbartur me vete kapitalin më të rëndësishëm: aftësinë për të parë mundësi aty ku të tjerët shohin boshllëqe. E njëjta histori përsëritet te Arber Sejdiji, sipërmarrësi nga Kosova që nga Zyrihu kontribuon në transformimin e retail-it global. Po ashtu, Eva Gjoni, Brendon Ahmeti i Synaps etj…Këta nuk janë përjashtime. Ata janë sinjalet e para të një fenomeni më të madh: kapitali shqiptar po krijon vlerë …

See more
Follow us
0