
SARANDË- Një operacion anti-drogë në Sarandë çoi në kapjen e 20 persona, mes tyre edhe 49-vjeçarin Altin Arapi. Ky i fundit njihej edhe me emrin Altin Demiri dhe me pseudonimin “Boraqi”. Emri i 49-vjeçarit është prej vitesh i njohur për strukturat e Policisë së Shtetit, ndërsa dyshohet se ka pasur aktivitet të shtrirë në fushën e shpërndarjes së kokainës në Sarandë.
Arapi është përfshirë në verifikime dhe hetime të ndryshme që lidhen me aktivitetin e narkotikëve në zonën e Sarandës. Ndjekja e tij nga strukturat e Policisë ka qenë e vështirë, për shkak të dyshimeve se ai mund të kishte informacion paraprak mbi operacionet policore.
Një prej episodeve të përmendura në historikun e 49-vjeçarit daton më 20 janar 2022, kur policia ndërhyri për ta kontrolluar. Sipas të dhënave të bëra publike në atë kohë, gjatë kontrollit nuk iu gjetën lëndë narkotike, ndërsa Arapi u arrestua për kundërshtim të punonjësve të Policisë.
Emri i tij është përmendur edhe në një tjetër hetim në maj të vitit 2025. Bëhej fjalë për rastin e një 15-vjeçareje, e cila mbërriti në Spitalin e Sarandës në gjendje të intoksikuar, pasi dyshohet se kishte konsumuar rreth 5 gramë kokainë.
Në kuadër të verifikimeve për këtë ngjarje, Arapi ishte një prej personave të marrë në pyetje nga autoritetet. Por përballjet e 49-vjeçarit me organet e drejtësisë nuk janë të reja. Rreth tetë vite më parë, ai u arrestua në Tiranë së bashku me dy persona të tjerë nga Saranda, pasi gjatë operacionit iu gjet një sasi kokaine. Për këtë ngjarje, Arapi qëndroi për disa muaj në burg.
Bëmat e Arapit nuk përfundojnë me kaq. Në janar 2021, Arapit u përmend gjithashtu pas një ndërhyrjeje të policisë në Delvinë. Gjatë atij operacioni u shoqërua edhe një person për tu marrë në pyetje, pasi policia kishte marrë informacion se mund të përfshihej në një konflikt me Arapin. Shoqërimi u krye si masë parandaluese. Ndërkohë, arrestimi i fundit rikthen në vëmendje emrin e tij dhe të shkuarën e tij të lidhur me hetimet për aktivitetin e narkotikëve në Sarandë.
Kush janë persoant e tjerë të arrestuar?
Përveç 49-vjeçarit, Altin Arapi i njohur ndryshe si Altin Demiri dhe me pseudonimin “Boraqi”, mes personave të arrestuar janë edhe disa persona me precedentë të mëparshëm penalë.
Feliks Filija
27-vjeçari është një nga personat e përfshirë në operacion. Ai është identifikuar si mik i Elvis Çaushllarit, i njohur me nofkën “Vis Korçari”. Filija nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. Në vitin 2020, ai u arrestua në Elbasan, pasi u akuzua për “vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim, si dhe për “armëmbajtje pa leje”.
Medi Myftaraj
35-vjeçari është një emër i njohur për autoritetet. Ai u arrestua në shtator të vitit 2017 në Skrapar, pasi rezultonte i dënuar nga Gjykata e Vlorës me 3 vite e 4 muaj burg për veprën penale “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia sekuestroi rreth 500 gramë cannabis sativa. Gjashtë vite më vonë, në mars 2023, ai u arrestua sërish, këtë herë në Ksamil, ku gjatë kontrollit iu gjet një tjetër sasi lënde narkotike.
Fabjo Berhamaj
Edhe 30-vjeçari, Fabjo Berhamaj, rezulton me precedentë penalë. Në vitin 2016, ai u ekstradua nga Gjermania drejt Shqipërisë, pasi ishte dënuar nga Gjykata e Fierit me 7 vite burg për veprën penale “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Ndërkohë, emri i tij rezulton i përfshirë edhe në një rast në Sarandë, për veprën penale “kalim i paligjshëm i kufirit”.
Devis Saliaj
Devis Saliaj, 22 vjeç rezulton me disa episode të mëparshme të evidentuara nga autoritetet. Më 6 qershor 2025, ai u plagos me thikë në zonën e “Eukalipsit” në Sarandë. Ndërkohë, në shtator 2023, ishte arrestuar në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë, në kuadër të një grupi të dyshuar për shpërndarjen e cannabis sativa-s dhe kokainës. Saliaj u vu sërish në pranga në Tiranë, në dhjetor të vitit 2025.
Erjon Dido
Erjon Dido, 41 vjeç, i njohur me pseudonimin “Macistja”, rezulton me precedentë të mëparshëm penalë. Në tetor 2018, ai u arrestua në Sarandë, pasi gjatë kontrollit iu gjet një sasi cannabis sativa dhe u procedua për veprën penale “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Në dhjetor 2024, emri i tij u përfshi sërish në një procedim penal, këtë herë në kuadër të një grupi.
Dhimitri Terolli
33-vjeçari, i njohur me pseudonimin “Miço Evgjiti”, rezulton të ketë pasur disa herë probleme me drejtësinë. Ai është proceduar më herët, kryesisht për raste të vjedhjes, ndërsa në një tjetër episod është përballur me akuzën për “plagosje të lehtë me dashje”.
Nazif Refitaj
Nazif Refitaj, 24 vjeç rezulton me precedent të mëparshëm penal. Në vitin 2021, ai u arrestua në Patos, pasi u akuzua për veprën penale “vjedhje e kryer në bashkëpunim”./Dosja.al