SHBA mohon pretendimin e Iranit për sulme me dron në Ngushticën e Hormuzit

Amerikë | 59 minuta më parë

Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka hedhur poshtë si “gënjeshtër totale” pretendimin e Iranit se ka goditur një anije ushtarake pa pilot në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme dhe më të ndjeshme të trafikut të naftës në botë.

Sipas raporteve të mëparshme të mediave shtetërore iraniane, forcat iraniane kishin goditur një dron detar që përpiqej të hynte në një zonë të quajtur “e kufizuar” në Ngushticën e Hormuzit.

Mediat iraniane e paraqitën incidentin si një sukses mbrojtës kundër një kërcënimi të huaj.Megjithatë, Kapiteni Tim Hawkins, zëdhënës i Komandës Qendrore të SHBA (CENTCOM), e hodhi poshtë plotësisht këtë pretendim.

“Raporti erdhi nga mediat shtetërore iranianë dhe është një gënjeshtër totale,” deklaroi ai.

Më herët, Shtetet e Bashkuara kishin njoftuar se kishin goditur tankera iranianë të naftës si hakmarrje pasi Irani kishte lëshuar raketa balistike kundër anijeve luftarake të Marinës amerikane. Këto veprime shënuan një eskalim të mëtejshëm në rajon.

Në të njëjtën kohë, CENTCOM raportoi të dielën se forcat amerikane kishin ridrejtuar 92 anije tregtare, kishin çaktivizuar tre prej tyre dhe kishin hipur në bord në dy të tjera.

Qëllimi, sipas komandës, ishte të sigurohej “respektim i rreptë” i bllokadës detare të vendosur kundër Iranit.

Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë kritike gjeostrategjike. Çdo incident i pretenduara apo i vërtetuar atje ka potencial të ndikojë menjëherë në tregjet botërore të energjisë dhe në sigurinë e navigimit ndërkombëtar.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme