Formula 1/ Antonelli “magjik”, triumfon në Monza ndonëse u nis nga vendi i 19-të

Një moment triumfues për Kimi Antonellin në Monza. Duke u nisur nga rreshti i parafundit, lideri i kampionatit realizoi njëzet e gjashtë parakalime për të fituar Çmimin e Madh të Italisë; ai e siguroi fitoren tri xhiro para fundit në kthesën “Ascari”, duke kaluar makinën tjetër Mercedes të George Russellit.
Max Verstappen u ngjit në shkallën e tretë të podiumit, para dy makinave McLaren të drejtuara nga Lando Norris dhe Oscar Piastri.
Kjo shënon fitoren e parë të një piloti italian në Monza pas gjashtë dekadash, që nga suksesi i Ludovico Scarfiottit me Ferrarin.
Për Ferrarin ishte një e diel katastrofike: Charles Leclerc u përplas në kthesën “Parabolica/Alboreto” në fund të xhiros së dytë, ndërsa po përpiqej të mbronte pozicionin e tij ndaj Oscar Piastrit, gjë që solli ndërprerjen e garës me flamur të kuq.
Pas një vizite në qendrën mjekësore të pistës, piloti nga Monako u kthye në bokse – me dhimbje trupore, por në thelb pa lëndime serioze.
Lewis Hamilton nuk arriti më lart se vendi i gjashtë; në zonën e frenimit për kthesën e parë (gjatë nisjes fillestare), ai e kishte sulmuar Leclerc-un në hyrje të kthesës, por u detyrua të dilte gjerë – mbi zhavorr – në dalje të saj.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




