Pas takimeve me përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe personalitete të ndryshme të politikës amerikane në SHBA, deputetët e PD-së Belind Këlliçi dhe Klevis Balliu kanë folur për “News24”, duke vlerësuar si të jashtëzakonshme pjesëmarrjen dhe mbështetjen e diasporës.
Këlliçi ka deklaruar se ndryshimi i vendit të takimit të Sali Berishës me shqiptarët është bërë për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve.
Edhe deputeti Klevis Balliu ka vlerësuar pjesëmarrjen, duke paralajmëruar se vizita në SHBA mund të shoqërohet edhe me zhvillime të tjera.
Sipas Balliut, Partia Demokratike vijon të jetë një faktor i rëndësishëm në jetën politike shqiptare, por edhe në marrëdhëniet me komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara.
Ai tha se gjatë vizitës janë zhvilluar takime me personalitete të ndryshme të politikës amerikane dhe se detajet e këtyre takimeve do të bëhen publike.
“Duke thënë këtë, pa diskutim që Partia Demokratike vijon të mbetet një faktor i rëndësishëm jo vetëm në jetën politike shqiptare, por edhe në marrëdhëniet me komunitetin shqiptar në Amerikë. Pesha e komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara është shumë e rëndësishme, veçanërisht për ndihmën që jep, për remitancat dhe për faktin se ky komunitet mbështet ekonomikisht dhjetëra mijëra familje në Shqipëri. Ky është një tregues i jashtëzakonshëm i potencialit dhe i marrëdhënies që Partia Demokratike ka me këtë komunitet. Edhe për këtë arsye, ne jemi pafundësisht mirënjohës.
Ndryshimi i vetëm i lokacionit dhe i vendndodhjes ka qenë për arsye se nuk na mbanin sallat. Aq njerëz sa kanë dalë për të pritur zotin Berisha në port, aq njerëz mund të ishin edhe në sallën tjetër. Kështu që, sot e shohim vetë se çfarë mbështetjeje dhe sa njerëz kanë ardhur për t’u takuar me zotin Berisha. Takimet janë zhvilluar me personalitete të ndryshme të botës politike amerikane, por edhe me përfaqësues të diasporës shqiptare. Të gjitha këto takime do të bëhen publike.
Ajo që mund të themi me siguri sot është se shpifjet dhe ajo që ne e kemi quajtur “perandoria e së keqes” së George Sorosit u shembën përballë të vërtetës dhe të drejtës që kishte Partia Demokratike, opozita dhe mbarë kombi shqiptar. Ky udhëtim dhe ky takim janë pikënisja e ndryshimit për një Shqipëri europiane. Ju garantoj se do të ketë edhe surpriza të tjera”, ka thënë Balliu.






