Janë publikuar pamjet e aksidentit tragjik të ndodhur në orët e para të mëngjesit në Manëz të Durrësit, ku humbën jetën tre persona dhe dy të tjerë mbetën të plagosur.
Viktimat janë Kleo Vrioni, bashkëshortja e tij Sara Brugentelli dhe 15-vjeçari Alvi Muhaxhiri.
Të dhënat e ekspertizës kanë hedhur më shumë dritë mbi sekondat që i paraprinë përplasjes fatale. Sipas konkluzioneve të ekspertëve, automjeti drejtohej me një shpejtësi prej rreth 114 kilometra në orë në momentet para aksidentit. Nga rindërtimi i dinamikës rezulton se, teksa ka hyrë në kthesë, drejtuesi ka humbur kontrollin e mjetit.
Fillimisht, goma e parë në anën e pasagjerit ka goditur bordurën, çka ka bërë që automjeti të humbiste më tej stabilitetin. Pas goditjes, makina është përmbysur dhe ka vijuar të rrëshqasë e të zvarritet në rrugë për rreth 40 metra, deri në ndalimin e saj.
Pamjet dhe të dhënat e mbledhura në vendngjarje po përdoren nga ekspertët për të rindërtuar me saktësi trajektoren e automjetit dhe momentet që çuan në aksident.
Një tjetër element i rëndësishëm i ekspertizës lidhet me gjendjen e drejtuesit të mjetit. Analizat toksikologjike kanë konfirmuar se Kleo Vrioni kishte konsumuar alkool.
Klikoni videon













