Dhjetë vatra zjarri janë evidentuar në të gjithë vendin deri në orën 14:00, ndërsa shtatë prej tyre vijojnë të jenë aktive.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vatrat aktive janë regjistruar në Dajt, Lufaj, Tërbun–Gojan–Gjegjan, Gjorm të Sipërm, Tunjë të Re dhe Rraja e Velës.
Në Dajt, zjarri është riaktivizuar, ndërsa ndërhyrja po kryhet nga 30 efektivë të FA-së, një helikopter, 13 forca të MZSH-së dhe 9 të AZM-së. Autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Lufaj të Mirditës, vatra vijon me intensitet të ulët. Shërbimi Pyjor dhe MZSH janë angazhuar për izolimin e plotë të saj.
Situata më e vështirë paraqitet në Gojan–Gjegjan të Pukës, ku erërat e forta kanë ndihmuar përhapjen e flakëve. Forcat operacionale janë përqendruar veçanërisht në mbrojtjen e banesave, ndërsa ndërhyrja po mbështetet nga 40 efektivë të Forcave të Armatosura, një automjet zjarrfikës dhe dy helikopterë.
Ndërkohë, në Gurë-Lurë dhe Qafë Helmes, situata paraqitet e stabilizuar dhe vatrat vijojnë të monitorohen nga strukturat përkatëse.













