Nga Boldnews.al
Nuk është rasti të komentohet se kur reagon thonë përse reagoi dhe kur nuk reagon thonë përse nuk reagoi, por diplomacia shqiptare, që tashmë i ka rënë për hise të drejtohet nga Ferit Hoxha, po bëhet gjithnjë e më shumë qesharake.
Së fundmi, “patriotizmi” u përshfaq në një vizitë të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut në Bashkinë Pustec. Para se të niste koncerti dhe fjalimet në gjuhën meqedone, u këndua himni i Maqedonisë së Veriut dhe ai shqiptar heshti, aq sa ishte e vështirë të kuptohej nëse ishe në tokën e shteti fqinj apo në Shqipëri.
Kjo u kap nga ato pak media që ishin aty dhe bëri “bujë në rrjetet sociale”, çka detyroi edhe mbajtjen e një qëndrimi të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe më vonë, mes pikës të diellit në kokë aty nga Vunoi, tha fjalën e tij edhe kryeministri Edi Rama.
Ministria e cilësoi një mungesë serioze protokollare mosluajtjen e Himnit Kombëtar shqiptar gjatë hapjes së festivalit Folklorik maqedonas në Pustec, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski si edhe kreu i bashkisë së Pustecit Pali Kolefski.Ndërsa “patrioti Rama” ishte edhe më “i thellë” në qëndrimet e tij. “Ne e kemi nderuar edhe atë komunitet të vockël me një status të posaçëm si bashki më vete, pikërisht sepse për Shqipërinë minoritetet nuk janë statistikë, por pasuri kombëtare, dhe qytetarët minoritarë nuk janë numra, por vëllezër e motra me të njëjtat liri dhe të drejta si të gjithë ne” -tha kryeministri në reagimin e tij.
Përtej fjalëve të thëna që nuk janë gjë tjetër përveç citimeve protokollare, duhet kuptuar arsyeja se përse po përbuzet deri në injorim Shqipëria. Ka një shkak dhe ajo që po ndodh është thjesht pasojë. Në politikën e jashtme, kryeministri Edi Rama mendon se është “xhol” që futet kudo në Ballkanin Perëndimor dhe ai mbetet “ndërmjetësi” i zgjidhjes së krizave, apo konflikteve. E kundërta ka ndodhur.
Rama qe sebepçiu i “ziafetit serb” në Shqipëri në nismën “Ballkani i Hapur” që përfudoi i kapur nga dyshja Rama-Vuçiç. Të mirat ia pa Serbia që në raportin tregtar është shumë herë më e fituar se vendi ynë.
Por edhe Maqedonia e Veriut ka treguar forcë ndaj një politike diplomatike të tulatur tonën pa ide dhe qartësi për të ruajtuar rolin e saj që i takon. Në Maqedoninë e Veriut jetojnë rreth 30 për qind e popullsisë shqiptarë, por ministri ynë i quan “ata idiotët shqiparë atje…”. Një popullsi me 2 milionë banorë dhe ku 30 për qind janë shqiptarë nuk po gëzojnë të drejtat siç është ajo themeltare “përdorimi i gjuhës”.
Por Rama flet për “paqe nëpër botë”… Ka shpikur edhe një term të ri, gjithnjë në kohë vere ku dielli të bie në çaç të kokës: “…Shqipëria, Europa e Ballkanit”. Një vend me autoritarizëm të theksuar, ku mbajtja e pushtetit është qëllim i arritur me çdo mjet dhe ku mjeti kryesor është krimi dhe korrupsioni nuk mund ta quhet Europë, as krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor…!













