Tirana-Vora në RTSH, Klafuriç i gëzohet fitores: Luajtëm në mënyrë serioze, të organizuar dhe të disiplinuar

Abissnet Superiore | 1 minutë më parë

Trajneri i Tiranës, Dean Klafuriç, u shfaq i gëzuar pas fitores përballë Vorës, suksesi i parë sezonal në kampionat për bardheblutë. Tekniku është i kënaqur me lojën e skuadrës, duke deklaruar se sot Tirana luajti në mënyrë serioze, të organizuar edhe disiplinuar.

“Mund të them se është veç një pjesë, por fillimisht dua të uroj lojtarët e mi. Bënë punë të mirë veçanërisht në mbrojtje. Çelësi i lojës sonë ishte mënyra si bllokuam anësorët e tyre. Ishim të organizuar dhe mjaft mirë në fazën mbrojtëse. Kjo qasje shpreh cilësinë tonë edhe në sulm. Kur fitonim topin, kishim kundërsulme të mira dhe shënuam gola.

Avantazhi më i madh nëse krahasojmë këto dy ndeshje, është se ne luajtëm më mirë sot. Bëmë punë të mirë në fazën mbrojtëse, që në Durrës nuk e bëmë. Në Durrës luajtëm në disa pjesë të ndeshjes. Jo në vazhdimësi. Kishim rast për 2 me 0. Më pas në 15 minutat e para të pjesës së dytë, krijuam edhe aty raste, por pjesa tjetër nuk ishte aspak mirë. Sot filluam të luajmë që nga fillimi. Në mënyrë serioze, të organizuar dhe të disiplinuar”, ka thënë mes të tjerash Klafuriç për RTSH.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme